Përafërsisht 14.1 milionë doza të vaksinave Pfizer/BioNTech do të shpërndahen në 47 vende në tremujorin e dytë të këtij viti, tha Aleanca Globale e Vaksinave dhe Imunizimit (GAVI) të hënën. Në planin e shpërndarjes përfshihet edhe Kosova.
Shpërndarja e vaksinave do të bëhet në periudhën nga prilli deri në qershor të këtij viti.
GAVI, që drejton COVAX-in së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Koalicionin për Inovacion në Gatishmëri për Epideminë, thotë se ata dorëzuan 1.2 milion doza të vaksinës Pfizer te 18 pjesëmarrësit e programit në raundin e parë.
Gjatë raundit të dytë, 237 milionë doza të vaksinës AstraZeneca iu shpërndanë 142 pjesëmarrësve të programit. Dorëzimi i raundit të dytë është ende në vazhdim.
Sipas informacionit të fundit të lëshuar nga GAVI, Kosova, Bosnje e Herzegovina dhe Maqedonia e Veriut do të duhet t’i marrin 100,620 doza të vaksinës Pfizer përmes programit COVAX nga prilli deri në qershor, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Vaksinat nuk janë shpërndarë për Malin e Zi në raundin e tretë, ndërsa Serbia pritet t’i marrë 28,080 doza.
Vendet e Ballkanit Perëndimor morën dozat e para të vaksinave kundër koronavirusit përmes sistemit COVAX në mes të marsit.
Kështu, Bosnja e Hercegovina mori 26,400 doza të vaksinës AstraZeneca si dhe 23,400 vaksina “BioNTech-Pfizer”. Pritet gjithashtu që 81,600 doza të vaksinës AstraZeneca të mbërrijnë atje më 22 ose 23 prill.
24,000 doza të vaksinës AstraZeneca kanë mbërritur gjithashtu në Kosovë. Kosova pritet t’i marrë gjithsej 100,800 doza të vaksinës AstraZenec nën këtë program.
Maqedonia e Veriut si dhe Mali i Zi gjithashtu morën nga 24,000 vaksina AstraZeneca.
Mekanizmi COVAX i shpërndarjes së vaksinave kundër koronavisurit, që mbulon 186 vende, koordinohet nga Aleanca Globale e Vaksinave (GAVI), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Koalicioni i Gatishmërisë Epidemike (CEPI) dhe synon të sigurojë një shpërndarje të barabartë të vaksinave në vendet më të varfra të botës.