Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka reaguar pasi Dhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara në Hagë konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj kriminelit serb, Ratko Mlladiq, duke e quajtur këtë vendim historik.
Në një deklaratë me shkrim, Biden tha se vendimi i sotëm tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi.
Paraprakisht, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka mirëpritur vendimin e Dhomës së Apelit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për t’ia konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm, kriminelit serb, Ratko Mlladiq.
“Ambasada e SH.B.A.-së në BiH mirëpret vendimin e sotëm nga Dhoma e Apelit e Mekanizmit Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për Gjykatat Penale që pohon dënimin e Ratko Mlladiqit. Vendimi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt llogaridhënies së atyre individëve përgjegjës për vuajtjet e jashtëzakonshme të popullit të Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa sjell një masë të drejtësisë të shumëpritur për viktimat dhe familjet e tyre. Ne i nxisim të gjitha palët që ta respektojnë vendimin e gjykatës dhe të përkushtohen në pajtimin e vazhdueshëm dhe bashkëjetesën paqësore thelbësore për të ardhmen e një Bosnje e Hercegovine të qëndrueshme dhe të sigurt që mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Dhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara e ka dënuar me burgim të përjetshëm kriminelin serb, Ratko Mlladiq, duke konfirmuar vendimi i shkallës së parë.