Kosova dhe Serbia janë pajtuar për miratimin e udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë në kuadër të dialogut të Brukselit.
Ky udhërrëfyes ka gjithsej nëntë pika e në të cilën përfshihet operatori i energjisë nga Serbia, Elektroserver, e i cili do të ofrojë shërbime të distribuimit, mbledhjes, mirëmbajtjes dhe lidhjes fizike të konsumatorëve të rinj për katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.
Mbikëqyrësi evropian do t’i ofrojë licencën e furnizimeve Elektroserverit serb, dhe kjo e fundit do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit për konsumatorët.
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 e deri në vitin 2017, rrymën e shpenzuar në veri të Kosovës e kanë paguar qytetarët e tjerë të Kosovës të regjistruar nga faturat e tyre si humbje e energjisë në rrjetin në veri. Nga viti 2017, pasi një gjykatë në Kosovë e ndërprehu këtë praktike, rrymën për serbët e veriut e paguan Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT). Sipas tyre humbjet nga mospagesa e rrymës në veri vetëm në vitin 2021 janë rreth 40 milionë euro.