Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së mbrëmjes së të mërkurës në mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave ka treguar një mosseriozitet nga ana e drejtueseve aktualë, qasje kjo e cila sipas tij, dëmtoi mardhëniet ndërkombëtare.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja e ka parë sikurse të panevojshme dhe njëherit të dëmshme, dramën e shkaktuar përgjatë javëve të fundit.
“LDK-ja e ka parë si tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme gjithë dramën populliste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore. Kjo sjellje, përveç se ka lënduar marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe shtetet mike, për të cilat Kosova ka nevojë, ka bllokuar dhe proceset kryesore integruese të vendit”, ka deklaruar Abdixhiku gjersa ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson dakordimin e mbrëmshëm.
Gjersa ka theksuar se stabiliteti politik dhe siguria janë parakushte esenciale për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, Abdixhiku ka kërkuar nga institucionet e vendit që të jenë transparente për procesin e dialogut politik, nëpërmjet raportimit në Kuvend përpara përfaqësuesve të zgjedhur.
Ndërkaq, ai ka vlerësuar deklarimet e kryeministrit Kurti kontradiktore dhe jo vetëm.
“Deklarimet e fundit të kryeministrit, përveç se kontradiktore, janë dhe tepër të paqarta, së këndejmi, ato krijojnë pasiguri në lidhje me drejtimin e këtij procesi jetik për Kosovën”, ka deklaruar Abdixhiku.
Kryediplomati evropian, Josep Borell ka bërë të ditur se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave.
Borrell ka bërë të ditur se Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.