Lumir Abdixhiku është rizgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në Kuvendin e 10-të Zgjedhor, Abdixhiku siguroi drejtimin e partisë më të vjetër në vend edhe për katër vjet.
Pas këtij momenti ai ka shkruar disa fjalë në profilin e tij në Facebook.
“Marrja e përgjegjësisë dy vite e gjysmë më parë ishte privelegji më i madh jetësor. Konfirmimi i këtij besimi sot, nga të gjithë delegatët prezent, për katër vite të tjera, është nder i jashtëzakonshëm”, ka shkruar Abdixhiku, transmeton Gazeta Sinjali.
Shkrimi i plotë i Abdixhikut:
Anëtarësisë sonë, delegatëve të Kuvendit;
Ju faleminderit!
Marrja e përgjegjësisë dy vite e gjysmë më parë ishte privelegji më i madh jetësor. Konfirmimi i këtij besimi sot, nga të gjithë delegatët prezent, për katër vite të tjera, është nder i jashtëzakonshëm!
Kemi kaluar momente të vështira, kemi kaluar momente të gëzimit, të rigjetjes së vetes e të fatit tonë të përbashkët politik, të ringritjes si mision tek i cili shkriheshim të gjithë. Çdo sfidë që kemi hasur ka qenë një dëshmi e qëndrueshmërisë sonë, çdo triumf një nderim i unitetit tonë.
Dhe në gjithë këtë rrugëtim, kam marrë më të mirën nga ju. Kam gjetur njerëzoren; kam gjetur idealin e domosdoshëm për të shtyrë vendin një hap tutje. Kam gjetur vet përkushtimin që bënte të mundur këtë ecje edhe kur dukej rëndë, edhe kur dukej e pamundur. Më keni qëndruar afër si një familje e vërtetë, më shumë se sa një familje politike. Asgjë mangut në këtë rrugëtim.
Shpresoj të kem ushtruar para jush me po aq përulje e përkushtim, besimin që kjo shtëpi e demokracisë më ka vënë mbi supe dy vite më parë. Shpresoj të kem arritur të përmbushë pritjet e juaja; shpresoj, mbi të gjitha, të kem arritur të sillem si një rugovist i vërtetë.
Zotohem se për katër vitet ardhshme do të ju prijë me nder e dinjitet. Do t’i shërbejmë bashkërisht e pa kursim, Lidhjes Demokratike të Kosovës, shtëpisë së rugovistëve, të djathtëve e patriotëve të Republikës.
Le të ringritemi si një!
I juaji,
Lumiri