Disidenti
Lajme

Verrat e Llukës si dëshmi e pajtimit mbarëshqiptar, Klina inauguron bustin e Çettës

0Shares

Nga Ardit Kika

Me një manifestim simbolik në Verrat e Llukës afër Deçanit, është shënuar 31-vjetori i Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve e po të shtunën, Klina ka inauguruar bustin e prijësit të kësaj lëvizjeje, Anton Çetta

Këtu e 31 vjet më parë, në Verrat e Llukës, turmës së njerëzve s’i shihej fundi. Ishin bërë tok 500 mijë veta si dëshmitarë të faljes së mbi 100 gjaqeve të një lëvizjeje që po merrte hov si kthesë historike ndër shqiptarë. Përvjetori i Tubimit Gjithëpopullor për Faljen e Gjaqeve e Kuvendi i Verrave të Llukës, siç e njeh historiografia, të shtunën është shënuar me një organizim simbolik. Kujtimet për ngjarjen madhore të 1 majit të vitit 1990 i kanë shpalosur edhe protagonistë të asaj kohe. Ishte kulmi i asaj që nismoi rinia shqiptare me lëvizjen që më pas i prinë intelektualët, udhëhequr prej Anton Çettës dhe Zekrija Canës.

Hava Shala, një nga organizatoret e aksionit të pajtimit të gjaqeve te Verrat e Llukës ka shprehur emocione të forta kur e ka kujtuar Kuvendin.

“Të gjithë ishim në atë kohë ushtarë. Ushtarë në vete. Te Verrat e Llukës ishin të gjithë ushtarë. Ju garantoj që ndjenja e parë që më zgjon emri Verrat e Llukës është krenaria për disiplinën, për guximin dhe pastaj për faljen e gjaqeve të të gjithë atyre që ishin aq burra për ta bërë atë”, ka thënë Shala.

Një protagoniste tjetër e aksionit të madh të pajtimit, Myrvete Dreshaj, edhe 31 vjet më vonë ka shprehur nderim për ata që falën gjaqet.

“Unë dridhem kur e mendoj atë kohë. Dridhem kur e mendoj gjakun e më të dashurve njerëz, kemi hyrë dhe e kemi kërkuar. Ende nuk ndihem mirë, ende nuk ndihem rehat, por madhështia e atyre njerëzve ka qenë më e madhe sesa ne”, është shprehur Dreshaj.

Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili e vlerësoi lart kontributin e Kuvendit.

“Ngjarja më madhështore e viteve të 90-a, pavarësisht të gjitha ngjarjeve të tjera që pasojnë e para saj, unë besoj dhe vlerësoj se është ngjarja më madhështore që i ka ndodhur kombit tonë që ka filluar në Verrat e Llukës”, ka deklaruar ai.

Vepër të madhe drejt çlirimit e ka cilësuar faljen e gjaqeve kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Mendoj që një vend të rëndësishëm në këtë lëvizje për çlirim e kanë ata që e kuptuan rëndësinë e pajtimit ndër shqiptarë. Mendoj se vepra e tyre, është e madhe edhe është e përjetshme dhe është porosi për vetëdijen tonë kombëtare në vazhdimësi”, ka thënë Haradinaj, i cili ka qenë i vetmi lider partiak që të shtunën e ka kujtuar 1 majin e 1990-s.

Mbajtur në një vend ku sot nuk ka shenja të ndonjë ngjarjeje të madhe, banori i Llukës dhe pjesëmarrësi në Kuvendin e saj, Hilmi Muçaj, është ankuar se nuk është bërë kurrfarë investimi.

“Vetëm një gjë dua ta them: nga beteja e Kosovës më 1389, në Fushë Kosovë, nga një humbje që e kanë pasur serbët, kanë bërë një mit për vete. Ne e kemi një Kuvend që një gjysmë milioni njerëz kanë marrë pjesë, e asgjë s’është investuar”, ka thënë Muçaj.

Katër vjet më “Verrat e Llukës” në Fshatin Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit, e ka përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme.

Po të shtunën, në qendër të Klinës është shpalosur busti i Anton Çettës. Që ky qytet ta nderojë me pajtuesin e gjaqeve, pikërisht në 31-vjetorin e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, ishte iniciativë e Asociacionit Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” dhe Këshillit të Donatorëve nga Diaspora – Zvicër. Vepra e punuar nga Agron Blakçori është vendosur në sheshin “Nënë Tereza”.

“Të dy, si profesor Anton Çeta ashtu edhe Nënë Tereza, kanë lënë pas vetes shembujt më të mirë, jo me fjalë, por me vepra konkrete, se si duhet të punohet për një të ardhme të ndritur e të qetë, se si duhet të punojmë për të mirën e përgjithshme, duke i shtrirë dorën e pajtimit e ndihmës njëri-tjetrit. Veprat e tyre për ne janë udhërrëfimi i duhur”, ka thënë kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj.

Fotografinë e bustit e kanë shpërndarë nëpër rrjete sociale edhe të bijat e Anton Çettës.

“Përgëzime për qytetarët e Klinës dhe brezat e ardhshëm! ‘Obligimet ndaj Kombit nuk kanë kufij’ – Anton Çetta”, kanë shkruar në një postim Agata dhe Donika Çetta, duke cituar edhe thënien e të atit të tyre, që po ashtu zë vend në pllakën poshtë bustit.

Kurti pret që BE-ja t’i largojë masat ndaj Kosovës: Nuk kanë qenë të drejta asnjëherë, tash janë bërë edhe absurde

Disidenti.net

Dështon ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë – mjekët, mësimdhënësit, policët, zjarrfikësit, mbesin pa rroga

Disidenti.net

Aksion i Antidrogës në Pejë: Sekuestrohet mbi një ton drogë në vlerë të rreth 5 milionë euro

Disidenti.net