Historiani Jusuf Buxhovi, si një nga themeluesit të LDK-së, në 33 vjetorin e themelimit të kësaj partie, në intervistë për RTK-në, foli edhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Ai tha se kjo situatë nuk është as e rastit dhe as e çastit.
Buxhovi u shpreh se që në vitin 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vulosi pavarësinë e Kosovës, është dashur që të zbatohet pakoja e Ahtisarit.
Historiani Buxhovi tha se marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi i Kosovës, duhet të zbatohen.
Ai sqaroi se as Kushtetuta e Kosovës nuk i rrëzon të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel mes Kosovës e Serbisë.
“Qeveria e Kosovës ka dëshiruar të krijohen probleme, që të mbajë pushtetin”, tha Buxhovi, duke shtuar se LVV-ja në thelb ka pasur gjithmonë problemet, duke ardhur në këtë mënyrë edhe në pushtet.
Historiani deklaroi në këtë intervistë për RTK-në se sa i përket veriut, Qeveria është dashur të ketë qasje tjetër.
“Qeveria të ulët me amerikanët, që të zbatohen marrëveshjet nga tërësia, sipas Kushtetutës dhe pakos së Ahtisarit”, tha ai.
“Presioni ndërkombëtar nga Biden e të tjerët është se askush nuk e ka kontestuar sovranitetin e Kosovës”.
Buxhovi tha se askush nuk ka thënë që Asociacioni të bëhet jashtë Kushtetutës.
Duke folur për situatën në veri, ai tha se me këto veprime, situata është kthyer në pikën zero.
“Qeveria është ngutur sepse nuk është dashur të rrënojë ato struktura, pavarësisht se kanë qenë të lidhura me Serbinë. Tani jemi kthyer në vitin 1999”.
Ai u shpreh se Kosova ka çelësat e shtetit.
“Por në Qeveri është e instaluar mentaliteti i opozitës që të kundërshtohet gjithçka”.
Historiani Buxhovi deklaroi se shteti i Kosovës është bërë me ndihmën e aleatëve.
“Kosova nuk ka fuqi as politike as ushtarake që të vendoset rendi atje”.
“Kjo është çështje politike”.
Historiani Buxhovi tha se me ato struktura në veri, është dashur të shihet çfarë të bëhet, që ato struktura të mos dalin nga sistemi shtetëror.
Buxhovi deklaroi se Qeveria është dashur ta dëgjojë kërkesën e SHBA-së për shtyrjen e afatit të zbatimit të vebndimit të targave ilegale.
“Edhe po të kishte fuqi, Kosova nuk do të lejohej të ndërhynte në veri”.