Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë Kurti për uljen e shtesave pensionale.
Kajtazi ka thënë se kjo çka ka ndodhur është e papranueshëm dhe jo humane.
“Ne konsiderojmë vendimin e Qeverisë të pa papërshtatshëm, të papranueshëm, jo human dhe jo ligjorë. Në rast se kjo moshë është lënë anash, po përbuzet dhe nënçmohet me çdo veprim, jo vetëm nga kjo Qeveri por nga të gjitha qeverive të tjera”, tha ai.
“Është turp që vajzat dhe djemtë tanë me votat tona që erdhën në qeveri me i shkel aq keq këtë moshë, të cilët janë edhe më shëndetligë edhe materialisht ligë dhe janë në gjendje të rëndë”, ka thënë Kajtazi në prononcim për Insajderin.
Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve ka përmendur edhe kohën kur Kurti, u premtonte pensionisteve bërjen e ligjit për sigurime shëndetësore, dhe jo nga gjitha ato premtime të bien në 10 euro.
Kajtazi në emër të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, ka kërkuar takim urgjent me kryeministrin Albin Kurti.
Theksojmë se Albin Kurti, gjatë dy fushatave të fundit elektorale, ka vënë theks tek përmirësimi i skemave sociale. Ka premtuar rritjen e pensioneve dhe kategorive të tjera përfituese nga skemat sociale të ekzekutivit.
Para se të bëhej kryeministër, Kurti kishte premtuar dyfishimin e pensioneve minimale.
Kishte premtuar edhe pesë shtëpi të reja për kujdes ndaj të moshuarve e po ashtu kishte thënë se shteti duhet të dëshmohet me të moshuarit, gratë dhe fëmijët.
Madje, Albin Kurti, kur e kuptoi që partia e tij doli fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, nuk i kishte harruar t’i fusë në fjalimin e tij pensionistët.
Gjatë fushatës, Kurti kishte bërë një reklamë me një pensionist. Ai i thoshte Kurtit që t’ia rritë pensionin për t’i blerë nipit çokollata, ndërsa Kurti ia kthente: Unë jam Albin Kurti dhe unë e mbështes këtë kërkesë.
Gati dy minuta ai flet për gjyshen Xhezide. Ai tregon në atë fjalim më shumë dashuri, se si kjo gjyshe kishte vendosur të dalë, e ta votojë atë. Ai madje i citon pikë e presje fjalët e saj.
Por, duket se me kaq ka mbaruar.
Nga 30 euro shtesë sa kanë marrë mbi pensionin bazë prej 90 euro, pensionistet, tash e tutje do të marrin veç 10 sosh.
Ndryshe nga 120 euro, pas vendimit të djeshëm të Qeverisë Kurti, tash do t’i marrin vetëm 100 euro.
Në lidhje me këtë, në Kosovë ka pasur reagime të shumta nga shoqëria civile, e po ashtu edhe nga partitë politike.
Reagime kanë ardhur edhe nga partitë e djathta që ndryshe nga Lëvizja e Kurtit që është parti e majtë dhe nuk është pritur ky vendim, ata i kanë reaguar ashpër.
Ndërsa sot, pas shumë reagimeve, ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, është sqaruar lidhur me vendimin e djeshëm për pensionet.
“Ministria e Finacave, Punës dhe Transfereve, ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro – e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro – të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro. Këto shtesa do të vazhdojnë përgjatë tërë vitit, njësoj sikurse mbështetja për përfituesit e asistencës sociale”, ka theksuar Murati.