Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se është obligim i secilës qeveri dhe secilit kryeministër që të takojë përfaqësuesit e sindikatave.
Sipas tij, sindikalistët janë organizata me bazë të anëtarësisë të cilët janë të punësuar në administratën e shtetit.
“Mos vullneti për të ofruar zgjidhje në këto rrethana, tani kur jemi gati në gjysmën e shtatorit, nuk është asgjë tjetër, veç pazotësi qeverisëse dhe arrogancë klasike”, shkroi ai në Facebook.
Ai i bëri thirrje Kurtit duke i thënë se e ka në dorë hapjen apo jo të shkollave për nxënësit kosovarë.
“Kryeministër, të hënën fëmijët duhet të shkojnë në shkollë. Këtë, ju e keni në dorë. E keni në dorë me vendimmarrjen që e keni në posedim. Bëjeni atë”, përfundoi Tahiri.