Disidenti
Lajme

Zhvillimet dramatike në Veri/ Ndizet alarmi për Kosovën – Kështu po tentohet rrëzimi i Albin Kurtit

0Shares

Edhe pse presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani njoftoi shtyrjen e zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe në Kosovë, situata në veri të vendit vazhdon të jetë e tensionuar.

Policia e Kosovës po përballet në vazhdimësi me sulme të armatosura, dhe strukturat serbe kanë filluar me vendosjen e barrikadave.

Pas kësaj situate, Policia e Kosovës ka njoftuar se janë mbyllur për qarkullim pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak për shkak të bllokimeve që janë krijuar atje.

E pas këtyre zhvillimeve, kryeministri Kurti ka thënë se Serbia kërcënon Kosovën me agresion.

“Ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion. Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së. Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së. Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-të), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës). Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi. Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak.”, shkroi ndër tjerash Kurti në reagimin e tij, pasi presdienti serb, Alëksandër Vuçiq paralajmëroi se ushtria serbe mund të rikthehet në Kosovë.

Kurse sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, zhvillimet në veri të Kosovës janë shqetësuese.

“Ngjarjet në veriun e Kosovës dhe veprimet e këtyre dy ditëve atje janë vërtet shqetësuese. U plagos një polic i Kosovës. Është arrestuar e mbahet në Leposaviç një ish-polic i komunitetit serb, i cili akuzohet për akte terroriste e dhunë kundër rendit kushtetues të shtetit. Ndërkohë që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se do t’i kërkojë KFOR-it të pranojë që Beogradi të dërgojë një forcë ushtarake në veri të Mitrovicës. Kërcënimin me dërgimin e një mijë pjesëtarë të forcave special serbe po e bëjnë prej disa ditësh liderët e Serbisë. Ndërkaq janë ngritur barrikada me automjete të rënda në rrugët e Leposaviçit e Zubin Potokut. Ndërsa dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinja e Brnaku, nuk funksionojnë. Banditët e Aleksandër Vuçiq kanë qëlluar me armë zjarri kundër policisë së Kosovës në terren, afër Liqenit të Ujmanit, por edhe në Zubin Potok”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, Serbia vazhdon të mos heq dorë nga dhuna dhe presioni ushtarak ndaj Kosovës.

“Kjo situatë ndodhi edhe pse presidentja Osmani lajmëroi shtyrjen e zgjedhjeve në katër komunat e veriut për në prill të vitit 2023. E kam thënë dhe e përsëris: Serbia nuk heq dorë nga dhuna dhe presioni ushtarak e luftarak kundër Kosovës edhe sikur t’ia japësh veriun e Kosovës. Sa më shumë lëshime të bësh ndaj saj, aq më shumë do të kërkojë në praktikë. Mbani mend, nëse do të lejohet ta aneksojë veriun do të kërkojë edhe Manastirin e Deçanit dhe katër komuna tjerë zingjirë në Lindje të Kosovës, të cilat Hashim Thaçi e Lutfi Haziri i shpallën si komuna me shumicë serbe. Thika serbe në trupin e Kosovës nuk do të hiqet”, shprehet Bytyçi, i cili përgjegjës për situatën e krijuar i bën ndërkombëtarët.

“Ndërsa sa i përket këtyre ngjarjeve, gjithçka është jo projekt, por vepër e ndërkombëtarëve. Duhet të jem i sinqertë: I të gjithë ndërkombëtarëve. Jam i sigurt se këta, ndërkombëtarët, ambasadorët e Quintit, e kanë kërcënuar Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. U kanë thënë: „Ose bëni lëshime dhe pranoni Asociacionin, ose ne do t’i japim leje Vuçiq të sjellë ushtrinë në Kosovë“! Ajo që presidenti i Serbisë i ka thënë sot ministrit të Jashtëm të Italisë, sipas të cilit “Po deshi Albin Kurti e kthen paqen menjëherë, vetëm të formojë Asociacionin“, është shumë e vërtetë. Të njëjtën gjë kërkojnë prej kohësh në Bruksel dhe Uashington. Kokëfortësia e Albinit po shpërblehet me kërcënim real jo prej Serbisë, por prej SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, përfshirë fatkeqësisht edhe Gjermaninë”, thekson Bytyçi.

“Nuk duhet ta shohim konfliktin jashtë kornizave të ndërkombëtarëve. Po të kishin dashur Uashingtoni, Berlini, Londra dhe Parisi për ta zgjidhur konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë, kjo punë do të kishte marrë fund dhe do të ishte harruar. Nuk kanë dashur. Nuk duan as sot. Kërkojnë ta zhbëjnë shtetin e Kosovës. Kjo është e vërteta. Shqiptarëve duhet që dikush t’ua thotë këto të vërteta, sepse „dashuria për Evropën dhe Amerikën do të na kthehet në „dashuri“ për Serbinë. Madje jo pak politikanë dhe njerëz publikë janë shpallur hapur si „dashnorë“ të Beogradit. Dhe kjo po ndodh se ata e dinë se këtë dashuri e duan amerikanët dhe evropianët”, shprehet Bytyçi.

Ai thotë se ajo që po ndodh në veri të Kosovës, është përballje e shtetit me bandat e krimit.

“Në çdo vend të botës në përballje të tilla përkrahet shteti dhe dënohen aktet kriminale. Amerikanët dhe evropianët mbështesin kriminelët serbë në Kosovë dhe sulmojnë qeverinë e presidenten e Kosovës. Ajo që ndodh në veri të Kosovës nuk është vepër e serbëve atje, por është vepër e presidentit të Serbisë. Por amerikanët dhe evropianët mbështesin kriminelin Vuçiq dhe atakojnë institucionet e shtetit të Kosovës. Shkurt, unë kam filluar të besoj se ka një plan ndërkombëtar për ta zhbërë shtetin e Kosovës”, deklaron profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Por si duhet të veprojë Kosova që ta rikthejë sovranitetin e plotë në veri”

“Politika dhe qytetarët duhet të bashkohen së paku në pikën që të veprojnë në mënyrë unike në mbrojtjen e territorit. Sot do të duhej që në Mitrovicën e Jugut të ishte stacionuar e gjithë forca ushtarake e Kosovës. Ata 60 mijë veteranë që marrin shpërblimin e luftës, do të duhej të ishin së paku fizikisht e ndoshta pa armë në Mitrovicën e Veriut. Vetëm një presion i shqiptarëve ndaj ndërkombëtarëve mund ta kthejë veriun e Kosovës nën sovranitetin e shtetit. Pa presion nuk do të ndodhi kjo. Ndërkombëtarët mashtrojnë. Mashtrojnë herë pas here”, nënvizon Bytyçi.

Për fund, ai thotë se mashtrimi i ndërkombëtarëve po bëhet edhe për ta rrëzuar Albin Kurtin nga pushteti.

“Lësho këtu e lësho aty, një ditë Kurti do të sulmohet nga elektorati i tij e do të rrëzohet ndoshta para përfundimit të mandatit. Shihni çfarë ndodh në Shqipëri. Ndërkombëtarët tolerojnë një shtet mafioz e të korruptuar si asnjë vend tjetër në botë, vetëm se nuk duan që Shqipëria të ndikojë në mbrojtjen e shtetësisë dhe territorit të Kosovës. Të njëjtën gjë po bëjnë në Kosovë. Po duan të rikthejnë përfaqësuesit e korruptuar të qeverisjeve të mëparshme. Flasin për korrupsionin, por në fakt as që e kanë në projekt luftën kundër tij. Nuk merakosen aspak për këtë! Non gratat për „korrupsionin“ e kohëve antike shërbejnë thjesht për propagandë. Unë jam kundër propagandës”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Kurti pret që BE-ja t’i largojë masat ndaj Kosovës: Nuk kanë qenë të drejta asnjëherë, tash janë bërë edhe absurde

Disidenti.net

Dështon ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë – mjekët, mësimdhënësit, policët, zjarrfikësit, mbesin pa rroga

Disidenti.net

Aksion i Antidrogës në Pejë: Sekuestrohet mbi një ton drogë në vlerë të rreth 5 milionë euro

Disidenti.net