Tri ditë para takimit me kryeministrin e Kosovës, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka folur për temat të cilat e ka ndërmend t’i shtrojë në tavolinë.
Siç është shprehur Vuçiç, në takim me Albin Kurtin në Bruksel, e ka shumë të rëndësishme të tregojë se ai është për paqe dhe stabilitet.
“Ne po shkojmë në Bruksel për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, nuk kërcënojmë askënd dhe duam vetëm të sigurojmë respektimin e rregullave dhe normave të Bashkimit Evropian”, tha Vuçiç.
Për të bërë të qartë se në çfarë cilësie takohet me Kurtin, Vuçiç deklaroi “se Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshja e Brukselit janë dokumentet që janë ende në fuqi”.
Ai ka ritheksuar edhe një herë që Serbia pret të zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel, duke aluduar kështu se pret themelim të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Këtë të hënë është publikuar gjithashtu edhe një intervistë e Albin Kurtit dhënë për Financial Times.
Aty Kurti thekson lojnë e katërfisht të Serbisë dhe lidhjen e saj me Rusinë agresore.
“Çfarë do Serbia është: fondet e BE-së, armët e Rusisë, Investimet e Kinës dhe tolerancën amerikane. Nëse demokracitë perëndimore e zgjidhin këtë çështje, një zgjidhje finale do të jetë lehtësisht e arritshme pastaj. Por, nëse serbët lejohen ta luajnë këtë lojë, ky tension do të vazhdojë”, tha Kurti për FT.
Ai deklaroi edhe se nacionalizimi serb dhe interesat ruse ecin dorë për dore. “Është e njëjta gjë”, theksoi.
“Putini do të tregojë se intervenimi i NATO-s në Kosovë ishte një sukses i përkohshëm. Por, ne jemi dëshmitar se Kosova është këtu për të qëndruar”.
Takimi Kurti – Vuçiç është paraparë të mbahet këtë të enjte me 18 gusht. Takim që vjen në kohën kur Kosova po provon të zbatojë masat për reciprocitet me Serbinë.
Masa që përfshinë reciprocitetin me targa dhe dokumentin në formë të fletës së bardhë për hyrje/daljet e shtetasve serbë në Kosovë.

