Raporti i Freedom House trondit. Qeveritë e Kosovës, janë ndikuar edhe nga qeveria ruse dhe kineze.
Ky raport evidenton edhe ndikimin e Turqisë, por kjo gjë ka qenë thuajse publike e thënë edhe nga mediat dhe analistë tanë.
Por, si mund të shpjegohet, që qeveritë e Kosovës ishin nën ndikimin e diktatorit Putin dhe të presidentit kinez Xia?!
Raporti thekson se derisa shteti serb, vazhdon të ndikojë në veri, për shkak të prezencës jo të fortë të institucioneve të Kosovës, njëkohësisht në qeveritë e Prishtinës dëshmohen ndikimet e fuqishme të shteteve lindore, pasi bëhet fjalë për tri fuqi ekonomike e ushtarake.
“Serbia ende ruan ndikimin në veri të Kosovës, ku institucionet kosovare nuk kanë prezencë të fortë. Qeveritë ruse, kineze dhe turke kanë ushtruar gjithashtu ndikim mbi proceset qeveritare në Kosovë gjatë viteve të fundit”, thuhet në raportin e Freedom House”, thuhet në raport.
Kë po i mbështesin disa media agresive, rrjedhën ruse e kineze apo kë?
Pra, është shqetësuese se kë po e mbështesin ende mediat që kishin lidhje me qeveritë në të kaluarën, nga kush financoheshin dhe si përfitonin? Kush janë autorët dhe njerëzit?
Presidentja Vjosa Osmani duhet ta thirrë urgjentisht t’i raportojë shefi i AKI-së, për këto konkluzione, dhe për protagonistët e ndikimit rus dhe kinez, por edhe të atij turk. Të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe kryeministri Albin Kurti, që të njihet me këto grupe, që paraqesin rrezik për shtetin e Kosovës.
Më pas presidentja duhet ta thirrë Këshillin e Sigurisë kombëtare, dhe të merren masa të caktuara, që të mund të çojnë në izolimin e politikanëve, njerëzve me ndikim dhe të tjerëve.
“Për këtë çështje, Putin ishte i qartë, nëse ju (Kosova dhe Serbia) arrini marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë atë”,shkruante në faqen e tij në FB presidenti i asokohshëm i Kosovës Hashim Thaçi.
Hashim Thaçi nga nëntori i vitit 2020 ndodhet në Hagë, pas arrestimit të tij nga gjykata speciale.
Pas këtij takimi morën vrull përpjekjet për ta realizuar këtë projekt, dhe u bë një mbështetje masive në media, nga shumë politikanë, në shumicën e partive, nga analistë dhe nga intelektualë.
Me kohë e patëm quajtur, si një projekt ruso-serb, që synonte ndarjen e Kosovës në dobi të interesave të Serbisë, anipse fshihej edhe ‘vullneti’ për “ta bashkuar Luginën”, edhe pse nuk bëhej fjalë për të gjithë rajonin, por për pjesë të saja.
Problemet e trashëguara dhe pengesat
Sipas raportit, qeveria aktuale është duke u përpjekur për ta reformuar sistemin, por si duket edhe Freedom House, vlerëson se nuk është bërë sa duhet, dhe më shumë e evidenton si përpjekje, dhe jo se ka arritur rezultate.
“Sistemi politik i Kosovës historikisht është karakterizuar me mosfunksionim dhe jostabilitet të tij. Qeveria Kurti, e zgjedhur në shkurt 2021, herë pas here u përpoq të zbatonte në mënyrë efektive platformën e saj të orientuar drejt reformave gjatë gjithë vitit”, thuhet në raport.
Një çështje tjetër problematike mbetet, edhe mungesa e drejtësisë në gjyqësor, përkatësisht mossigurimi i barazisë dhe paanshmërisë.
“Ndërhyrja politike në gjyqësor mbetet një problem dhe korrupsion i përhapur gjyqësor, i cili ndikon negativisht në pavarësinë e tij. Kufizimet e burimeve dhe mungesa e gjyqtarëve të kualifikuar pengojnë performancën e gjyqësorit. Në vitin 2021, qeveria Kurti krijoi një grup pune për të krijuar një mekanizëm verifikimi gjyqësor; diskutimet mbetën në vazhdimësi deri në fund të vitit”.
Pra, sipas raportit duhet të rriten kapacitetet, burimet dhe mbi të gjitha një grup gjyqtarësh të kualifikuar.
Sipas raportit edhe prokuroritë edhe gjykatat i nënshtrohen ndërhyrjes politike, korrupsionit nga grupet elitare, por edhe të biznesit.
“Prokurorët dhe gjykatat mbeten të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve politike dhe korrupsionit nga elitat e fuqishme politike dhe të biznesit, duke dëmtuar procesin e rregullt ligjor”, thuhet në raport.