Ish-kryeministri britanik, Tony Blair i cili vendosi trupa ushtarake në Afganistan 20 vjet më parë pas sulmeve të 11 shtatorit, thotë se vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr nga vendi ka gëzuar çdo grup xhihadist në të gjithë botën madje sipas tij, braktisja e Afganistanit, dhe njerëzve të tij, është tragjike.
Tutje ish-udhëheqësi i Partisë së Punës, ka deklaruar se tërheqja e papritur dhe kaotike që i lejoi talebanët të rimarrin pushtetin rrezikon të minojë gjithçka që ishte arritur në Afganistan gjatë dy dekadave të fundit, përfshirë përparimet në standardet e jetesës dhe edukimin e vajzave, përcjell Klankosova.tv.
“Braktisja e Afganistanit dhe njerëzve të tij është tragjike, e rrezikshme, e panevojshme, jo në interesat e tyre dhe jo në tonat. Bota tani është e pasigurt se ku qëndron Perëndimi sepse është aq e qartë që vendimi për t’u tërhequr nga Afganistani në këtë mënyrë nuk u nxit nga strategjia e madhe por nga politika,” tha Blair
Ish-kryeministri tha se Britania ka një detyrim moral të qëndrojë në Afganistan derisa të gjithë që duan të evakuohen, të nxirret jashtë.
Ai pranoi se gjatë dy dekadave të fundit janë bërë gabime, por shtoi se ndërhyrjet ushtarake mund të jenë fisnike në qëllim, veçanërisht kur sfidohet një kërcënim ekstrem islamik, raporton Yahoo, transmeton Klankosova.tv.
Tony Blair shërbeu si kryeministër në Britani gjatë viteve 1997-2007.