Disidenti
Lajme

Thirrjet e nënës kosovare për trajtimin e vajzës, që s’po i dëgjojnë mjekët e QKUK-së

0Shares

Ka muaj që e viziton Klinikën e Ortopedisë së QKUK-së. Vahide Mehmeti në këtë klinikë ka vetëm një punë. Një letër i duhet asaj që jeta e vajzës së saj 12-vjeçare të përmirësohet. Vajza e Vahides ka nevojë për trajtim jashtë vendit, ngase që nga lindja vuan nga një sëmundje shumë specifike. E mjekët e QKUK-së po bëjnë hajgare me jetën e saj e të vajzës, duke mos ia ofruar dokumentin për trajtim. Thirrjeve të gazetës për të kërkuar shpjegime nuk iu përgjigjën as mjekët e kësaj klinike. As në zyrën e tyre mjekët nuk ishin aty në momentin kur ne i kërkuam.

Në temperatura minus, në borë e ngrica, në këmbë nga stacioni i autobusëve në Prishtinë, Vahide Mehmeti, bashkë me vajzën e saj 12-vjeçare, mori rrugë të martën drejt Klinikës së Ortopedisë të QKUK-së.

Ndonëse në gjendje jo të mirë shëndetësore të vajzës, Vahidja po detyrohet që këtë rrugë ta marrë shpesh. Jo për t’ia gjetur ilaçin vajzës së saj, ngase ilaç ajo në QKUK nuk ka, por për të marrë një letër përmes së cilës do të mundte që vajzën ta drejtonte për trajtim jashtë Kosovës- saktësisht në Turqi.

Sidoqoftë, letrën me të cilën i mundësohet trajtimi jashtë vendit, Vahidja po e ka të pamundur që ta marrë nga mjekët e QKUK-së. Ata po refuzojnë kategorikisht që t’ia japin asaj letrën. Kërkojnë dokumentacion shtesë.

Sëmundja nga e cila vuan 12-vjeçarja

Në të paktën dy dokumente të lëshuara nga mjekët e QKUK-së, parapëlqehet që trajtimi i vajzës 12-vjeçare të bëhet jashtë shtetit.

Për Nacionalen, nëna e 12-vjeçares shjegon për sëmundjen e vajzës dhe vështirësitë për ta marrë dokumentin për trajtim jashtë vendit.

“Vajza ime vuan nga shumë diagnoza. Ka sëmundjen Pierpont. Ka probleme me sy, me veshë. Nuk është e zhvillune në tru sa duhet, nuk është e zhvillune në trup, ashtu qysh edhe po shihet. Vajza ime u bë operacion nga skolioza. Vajza ime më 2021 është ba operacion prej skoliozës dhe prej kukave. Operacioni ka shku mirë. Është ba në Turqi dhe ka zgjatë 11 orë e gjysmë. Tash vajza ka fillu me u zgjatë, por mjekët kanë thanë që tash duhet me e bo patjetër operacion për me e ba zgjatjen e soliozës. Vajza ime që 12 vjet ma shumë ka mbetë në spitale sesa në shpi të vet”- shpjegon për gjendjen shëndetësore të vajzës së saj Vahidja.

Gjashtë muaj për një nënshkrim!

Në vitin 2021, Vahidja e ka operuar vajzën në Turqi. Thotë se operacioni ka treguar përmirësim të dukshëm të gjendjes së vajzës 12-vjeçare.

Operacionin e parë për këtë sëmundje e kemi bo në Turqi. Këta vetë (mjekët e QKUK-së) më kanë udhëzu me e çu jashtë vendit. Tash, për ni letër për operacionin e dytë me ia ba vajzës, unë që gjashtë muaj vi këtu. Jo, hajde nesër, jo mas ni jave. Edhe qe, shkuan gjashtë muaj. Para operacionit të parë, vajza u kanë shumë keq, pas operacionit, vajza 25 centimetra është zgjatë çika jeme”- thotë ajo.

Por gjendja shëndetësore e 12-vjeçares tash ka nisur të përkeqësohet.

Po tash kanë nisë problemet, ka nisë problemi me kukën, se ka nisë me iu laku shpina, kamët kanë nisë me iu laku. Krejt shkaktare është sëmundja. Unë vajzën e kam kontrollu te Dr. Ceni (Cen Bytyqi), por tash ai ka dalë në pension, për fatin tim të keq. Tash kontrollet po ia vazhdoj te Dr. Dafina Bytyqi. Ajo ma ka dhanë raportin për me shku jashtë vendit. Më kanë thanë që me shku te Dr. Xhavit Gashi”-thotë kjo nënë.

E ajo shpjegon se cili mjek s’po ia jep këtë nënshkrim.

Kur kam shku te dr. Xhaviti, i tregova për hallin tim. M’i kërkoi dokumentet. I tregova që e kam kontrollu te Dr. Ceni. Më tha që nuk i lexon dokumentet e tij. Unë i thashë që i kam CT-të e vajzës, tha: “Jo, s’ka nevojë”. I tregova që edhe Dr. Dafina më ka rekomandu. As atë ditë nuk më ka marrë parasysh. Më tha që i kërkon raportet prej Turqisë se çka kanë ba e çka kanë me ba. Ia solla raportin e mjekëve të Turqisë. Më tha: “Jo, duhet tash tjetër raport. Unë e thirra sërish spitalin, ata më thanë kështu: Nuk e kemi na ndërmend atij doktorit tand me i dhanë shkollë”. Unë Xhavitit desha me ia kallxu gjendjen e vajzës, me ia hek jaknën vajzës e me pa ai. E as që ka dashtë me e pa. Unë hala jam në kredi për vajzën që e kam çu herën e kalune. Është tepër e dhimbshme për mu me e pa vajzen kështu. Unë kam probleme me depresion”- rrëfen ajo.

Gazeta Nacionale është përpjekur që të marrë një deklaratë nga drejtori i kësaj klinike, Gani Jashanica, sa i përket kësaj problematike, por ai nuk ka qenë i qasshëm as në telefon e as në zyrën e tij në Klinikën e Ortopedisë.

Bashkë me nënën e kërkuam edhe mjekun Xhavit Gashi, por as ai nuk ishte në klinikë rreth orës 14:00, kur ne qëndruam në Ortopedinë e QKUK-së.

Kurti pret që BE-ja t’i largojë masat ndaj Kosovës: Nuk kanë qenë të drejta asnjëherë, tash janë bërë edhe absurde

Disidenti.net

Dështon ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë – mjekët, mësimdhënësit, policët, zjarrfikësit, mbesin pa rroga

Disidenti.net

Aksion i Antidrogës në Pejë: Sekuestrohet mbi një ton drogë në vlerë të rreth 5 milionë euro

Disidenti.net