Remitencat vazhdojnë të jenë ndihmë e konsiderueshme për kosovarët, me një të tretën e të hyrave familjare në Kosovë, duke krijuar një “zonë rehatie” për një pjesë të qytetarëve. E në këtë kohë të krizës ekonomike, kur inflacioni ka prekur 12,7% në muajin tetor, remitencat mund të përdoren si mjet për zbutjen e ndikimeve të krizës.
Sipas statistikave të BQK-së, në Kosovë deri në shtator janë dërguar diku 916,2 milionë euro. Shuma më e madhe e dërgesave në këtë vit është shënuar në muajin gusht, e ku ishin plotë 131.6 milionë euro remitanca, kohë e cila u karakterizua me shtrenjtim të madh të çmimeve të konsumit ditor.
Por, remitencat qenë të mëdha edhe gjatë muajit shtator, duke shënuar rreth 114.2 milionë euro dërgesa parash nga jashtë për në Kosovë.
Krahasuar me vitin e kaluar, pra vitin 2021, shuma e remitancave në këtë vit është rritur për 54,4 milionë euro.
Kjo, pasiqë deri në shtator të vitit 2021 mërgimtarët kishin dërguar rreth 861,8milionë euro, ndërkohë në të njejtën përiudhë të këtij viti shuma arrit në 916,2 milionë euro.
Raporti i BQK-së, “Buletini Mujor Statistikor, Gusht 2022”, tregon se këtë shumë të remitancave, më së shumti dërgesa kishte nga Gjermania që përbën 38 për qind, ndërkohë Zvicrra 17,9 për qind, më pas SHBA me 8.4 për qind, si dhe Austria me 5,4 për qind.
Pare, pare, pare…
Ekonomisti, Besnik Avdiaj, ka thënë për gazetën Nacionale se është vërejtur një rritje e vazhdueshme e remitencave të mërgatës.
Ai thotë se në veçanti në periudha sfiduese për mirëqenien ekonomike dhe sociale të shoqërisë, diaspora po vazhdon të ketë rol thelbësor përmes mbështetjes financiare për të afërmit.
“Mendohet që remitencat në vendin tonë janë dukshëm më të larta në realitet sesa në statistikat e raportuara. Kjo për shkak se jo të gjitha pranohen përmes transaksioneve financiare të deklarueshme. Metodat e hyrjes së parasë së gatshme nga diaspora në Kosovë janë të ndryshme, por në fund, e gjitha përfundon në konsum, investim apo depozita”, ka thënë Avdiaj.
Avdiaj i tha Nacionales se dërgimi i remitencave konsiderohet faktori kyç që e ka mbajtur gjallë dhe e ka zhvilluar afarizmin në Kosovë.
“Dërgesat e diasporës (remitencat) janë para e gatshme që futet në qarkullim në ekonomi, duke nxitur rritjen e konsumit, gjegjësisht tregtisë. Ky injektim i rregullt dhe vazhdimisht në rritje i remitencave në ekonomi, konsiderohet faktori kyç që e ka mbajtur gjallë dhe e ka zhvilluar afarizmin në Kosovë”, tha tutje ai për Nacionalen.
Edhe nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK), tregojnë për Nacionalen se ka pasur ngritje relativisht të madhe të remitencave për këtë vit në krahasim me përiudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, Albulenë Kastrati, profesore universitare e ekonomisë, në një prononcim për Gazeten Nacionale ka thënë se dërgesat e emigrantëve apo remitancat kryesisht ndikojnë në nivelin e konsumit në ekonomi.
“Kjo për arsye se remitancat kryesisht financojnë aktivitete si ushqimi, veshmbathja, arsimi, shpenzimet mjekësore e të ngjashme. Pra, remitancat kryesisht financojnë konsumin dhe shpenzimet bazike dhe si të tilla nuk taksohen. Megjithatë, emigrantët tanë paguajnë tarifa relativisht të larta kur i dërgojnë përmes institucioneve financiare”, ka thënë ajo.
Sipas saj, remitencat luajnë rol në disa aspekte, përfshirë kompensimin e mungesës së pagave si pasojë e papunësisë së lartë e pagesën e kësteve kredive.
“Përveç efekteve pozitive në ekonomi, remitancat krijojnë edhe efekte anësore. Kosova disa dekada me radhë pranon shuma signifikante të tyre. Varësia e gjatë në dërgesat e emigrantëve rritë pritjet për paga më të larta si dhe zbeh dëshirën për punë. Prandaj, në anën tjetër, remitancat mund të demotivojnë punëtorët potencialë në gjetjen e një vendi të punës”, ka thënë ajo.
Ndryshe, kosovarët janë përballur muajve të fundit më një inflacion të lartë, që ka ndikuar në shtrenjtimin e jetës dhe produkteve të konsumit bazë.