Xherdan Shaqiri ka treguar që Kosovën, atdheun e vet, s’e viziton shumë shpesh, por sa herë që e bën atëherë zilja e derës së shtëpisë së tij bie pa pushim. Diçka me të cilën nuk është i mësuar dhe thotë se shpesh prindërit i dalin në ndihmë për t’i larguar të paftuarit.
Sot padite, përfaqësuesi i Zvicrës do të përballet me vendlindjen e vet në një ndeshje miqësore në Zurich. Për yllin e Chicago Fire në MLS kjo ndeshje nënkupton emocione të përziera.
30-vjeçari pret që në stadiumin Letzigrund do të ketë shumë shqiptarë të Kosovës, shumë më shumë se vetë zviceranë, megjithëse ndeshja zhvillohet në Zurich, një qytet në veri të Zvicrës.
Ai tregoi se kishte pasur shumë kërkesa për bileta për këtë ndeshje, e cila zhvillohet në orën 18:00, por nuk kishte dashur të të merrej vetë me këtë punë, duke ia lënë në dorë vëllait dhe menaxherit të vet Erdin Shaqiri.
“Nuk doja ta bëja vetë”, tha Shaqiri duke qeshur i pyetur nga Blick nëse kishte siguruar bileta për të afërmit e vet.
Vetëm Granit Xhaka ua siguroi vetë biletat të afërmeve, thotë Shaqiri.
Për Shaqirin, Xhakën – i cili do ta festojnë paraqitjen e 100-të jubilare për helvetikët – dhe Andi Zeriqin, përballja me Kosovën do të jetë e veçantë. “Një ndeshje miqësore kërkon miqësi dhe Zvicra e Kosova gëzojnë miqësi të madhe. Disa prej nesh kemi rrënjë kosovare dhe ka shumë të tjerë që janë rritur në Zvicër dhe ushtruan futboll këtu në Kosovë. Ne lojtarët njihemi shumë mirë mes vete”, tha Shaqiri.
I pyetur si është ta vizitosh Kosovën, Shaqiri – i cili u lind në Zhegër të Gjilanit – tha për Blick: “Vizita ime është diçka e veçantë për njerëzit sepse unë nuk shkoj shpesh atje. Zilja e derës bie çdo 10 minuta në fakt”.
Ai zbuloi se nganjëherë i lejon prindërit e vet t’i largojnë të paftuarit: “Ata thonë se unë kam dalë jashtë”.
“Nëna dhe babai im i kanë tetë motra dhe vëllezër secili. Unë kam shumë kushërinj në Kosovë. Nuk i njoh të gjithë prej tyre”, theksoi ish-ylli i Liverpoolit duke qeshur.
Derisa Xhaka dhe Shaqiri presin që kjo ndeshje të jetë sikur ndeshje në udhëtim për shkak të shumë tifozëve kosovarë në Letzigrung, ata duan të fitojnë patjetër.
“Kur jemi në fushë, ne duam të fitojmë, pavarësisht se kë e kemi përballë”, tha Xhaka. Shaqiri nënvizoi: “Ata natyrisht se duan të na fusin në kurth”.
Por për Xhakën, Shaqirin dhe Zeqirin kjo ndeshje nuk do të jetë shumë miqësore në stadium. Sepse jo të gjithë kosovarët e shohin këtë ndeshje si vëllazërore, duke nisur nga grupi i tifozëve zyrtarë të ekipit kombëtar verdhekaltër “Dardanët” e tek të tjerët.
“Dardanët” kanë qenë të ashpër në një reagim në Facebook një ditë para ndeshjes, duke theksuar: “Nuk kemi pse të tregojmë asnjë lloj respekti të veçantë për lojtarët zviceranë. Lojtarët që e ndjejnë veten njëmend shtetas kosovarë, do të luajnë me fanellën e Kosovës dhe këtu përfundon diskutimi.”
Është e qartë se mesazhi i “Dardanëve” i referohej atyre.
Zeqiri është shembulli më i mirë sesi Zvicra mund t’ia marrë nga dora një futbollit Kosovës. Sulmuesi 22-vjeçar i Brightonit në Premierligë, i huazuar në Augsburg, i kishte thënë po Kosovës dhe madje ishte fotografuar me fanellën e saj pranë presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, para se të bindej nga Zvicra për t’i përfaqësuar helvetikët.