Salihu këtë propozim e ka bërë nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, teksa tha se udhëheqësit shtetëror nuk thanë ende asnjë fjalë për ish-Thaçin dhe të tjerët që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara, shkruan Gazeta Express.
“Ibrahim Rugova ka garantuar për lirimin me kusht të Ramush Haradinajt. Nexhat Daci ka garantuar për lirimin me kusht të Fatmir Limajt. Burrështetasi dallohet prej politikanit të zakonshëm e të mllefosur nga aftësia për të dalë mbi inatet ditore në momente kur preket historia kapilare e kombit”, thuhet në postimin e tij.
“Krerët aktualë të shtetit asnjë fjalë nuk e thanë për krerët e UÇK-së që sot po gjykohen. Po gjykohen për luftën e tyre për lirinë e Kosovës. Asnjë garancë nga institucionet tona për lirimin e tyre me kusht. Gjykata Speciale tha se ju nuk keni shtet që garanton për lirimin e tyre me kusht. Në Prishtinë, si përgjigje, shteti heshti. Heshtja është aprovim. Smira e mllefi mbipeshuan historinë, lirinë”, shton tutje njohësi i rrethanave politike.
“Të premten më 30 prill 2021, paneli i Gjykatës së Apelit nxori katër vendime me të cilat hodhi poshtë apelet e parashtruara nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kundër katër vendimeve përkatëse të Gjykatësit të Procedurës Paraprake me të cilat ai refuzoi kërkesat e tyre fillestare për lirim të përkohshëm”, thuhet në njoftimin e tyre. /Gazeta Express/