“Edhe ambasada gjermane dhe ambasada franceze janë deklaruar për këtë dokument duke e demantuar dhe u distancuar nga ai. Nuk kemi çfarë t’i shtojmë më shumë deklarimeve të tyre”, ka thënë Kryeziu.
Ndyshe publikimi i dokumentit të ashtuquajtur “non-paper”, ku flitet për marrëveshjen Kosovë-Serbi, dhe thuhet se do të ketë njohje të integritetit dhe sovranitetit territorial të të dyja vendeve, ka nxitur reagime.
Në këtë dokument ku thuhej se është nismë gjermano-francez, thuhet se procesi i dialogut duhet të përmbyllet para fundit të shkurtit të vitit 2022.
Lidhur me këtë fillimisht reagoi ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se ky dokument nuk është nismë gjermano-franceze.
“E ashtuquajtura “non paper” gjermano-franceze e publikuar nga Koha Ditore është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është gjermano-franceze. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajçak siç e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, tha ambasadori Rohde.
Edhe ambasada e Francës në Kosovë, reagoi duke thënë se Franca e Gjermania nuk janë burim i të ashtuquajturit “non-paper”.
“Franca dhe Gjermania nuk janë burim i të ashquajturit non-paper franko-gjerman, botuar sot në Koha Ditore. Ne mbështetim plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mirëpresim përpjekjet e bëra në këtë drejtim nga Përfaqësuesi Special i ngarkuar për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak”, thuhet në reagimin e ambasadës franceze.