Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka filluar të publikojë vendimet për ankesat e partive dhe kandidatëve për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, transmeton Gazeta Sinjali.
208 apele janë paraqitur gjithsejt në këtë organ në afatin 24-orësh.
PZAP-ja e ka refuzuar si të pabazuar njërën ankesë të kandidates për deputete të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni. Kryeziu-Hyseni ka pretenduar se në vendvotimin 0403D/02R në Gjiilan kishte vetëm tre vota krahasuar me vendvotime tjera në këtë komunë ku kishte më shumë dhe se sipas saj disa komisionerë e kanë pranuar gabimin porse kanë pasur frikë të deklarohen si dëshmitarë. PZAP-ja ka vendosur se apeli nuk është i bazuar në dëshmi të qarta dhe bindëse.
Por ky organ e ka pranuar një ankesë tjetër të Arbëreshë Kryeziu-Hysenit. PZAP-ja ka pranuar ankesën e saj se në vendvotimin 0402X/01R në Gjilan në përshkrimin total të votave është bërë një gabim nga personi që e ka bërë përshkrimin dhe se 118 votat i kanë shkuar kandidatit nga partia e njëjtë, Arber Rexhaj. PZAP-ja ka ardhur në përfundim se apeli është i bazuar duke konstatuar se bartja e votave në formularë është përcjellë me parregullsi nga ana e komisionerëve. Kështu PZAP-ja ka urdhëruar rekomandimin e atij vendvotimi.
PZAP-ja ka pranuar si të bazuar edhe ankesën e kaniddatit nga PDK-ja, Rrahman Jakupi i cili pretendon se ka pasur shpërputhje të rezultateve në formularin e rezultateve të kandidatëve në vendvotimin 2202E/01R në shkollën “Bajram Curii” në Petrovë të Shtimes. PZAP-ja ka pranuar ankesën sipas së cilës në Formularin e Rezultatëve të Kandidatëve ishin të shënuar 156 vota të PDK-së kurse në listën e numërimit të kandidatëve është i shënuar numri 13, që sipas këtij organi është i paqartë. Prandaj edhe ka urdhëruar rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve për kandidatët nga PDK-ja në vendvotimin 2202E/01R.
PZAP-ja nga dje i ka 72 orë për të marrë vendim për të gjitha ankesat. Palët mund t’i drejtohen edhe Gjykatës Supreme e cila po ashtu ka 72 orë për shqyrtimin e ankesave të tyre.