Disidenti
Sport

Prokuroria po i përcjell ndeshjet e Superligës së Kosovës

0Shares

Prokuroria Themelore e Mitrovicës pati ngritur më herët aktakuzë për ndeshjen Trepça – Fushë-Kosova, derisa vitin e shkuar së paku edhe për katër ndeshje të tjera kishin nisur hetimet me dyshimin për kurdisje të rezultateve. Deri më tani nuk ka të dënuar për kurdisje. Për këtë edicion janë tri raste duke u hetuar

Këshillit Kombëtar për Parandalimin e Dhunës në Sport (KKPDHS) ka grumbulluar të gjitha informacionet që ka marrë nga deklarimet e individëve për mundësinë e kurdisjes së ndeshjeve të futbollit, në veçanti ato të Superligës. Informacionet e mbledhura, KKPDHS-ja i ka dërguar në Prokurori dhe në Polici të Kosovës, ndërsa u mbetet këtyre dy institucioneve të larta shtetërore të vazhdojnë hetimet.

KOHA ka mësuar nga burimet se së paku tri raste janë dërguar për hetim në Prokurori dhe në Polici të Kosovës nga Këshilli.

Kryetari i Këshillit Kombëtar për Parandalimin e Dhunës në Sport, prokurori Besim Kelmendi, për KOHËN nuk ka dashur të japë shumë detaje. Por i ka ftuar të gjithë që kanë informata apo fakte, t’i drejtohen Këshillit të cilin e drejton.

“Siç jeni në dijeni, në kohët e fundit ka pasur deklarime nga disa individë për mundësinë e kurdisjeve dhe ne çdo informacion që kemi marrë e kemi dërguar në Prokurorinë kompetente dhe në Policinë e Kosovës për verifikim. Gjithashtu ju njoftoj se ne së bashku me Policinë dhe Prokurorinë jemi duke përcjellë çdo ndeshje dhe informacion për çfarëdo dukurie negative në sport. Më shumë informata nuk mund të jap, por për të tjerat mund t’i kontaktoni Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, sepse ne si Këshill vetëm i dërgojmë në kompetencë të prokurorit kompetent, ndërsa nuk zhvillojmë hetime. Keni parasysh se në kohë verifikimi të informacioneve është e vështirë të jepen detaje për veprimet e Prokurorisë dhe të Policisë. Unë në emër të Këshillit u bëj apel të gjithë atyre që kanë apo mund të marrin ndonjë informacion për çfarëdo dukurie negative apo kurdisje të ndeshjeve, që ta njoftojnë Këshillin”, ka thënë Kelmendi.

Këshilli e ka në kompetencë edhe luftimin e kurdisjeve dhe parregullsive të tjera në futboll. Në Këshill kanë pranuar se ka kurdisje. Por dokumentimi i tyre mbetet i vështirë, nëse jo i pamundur. Akuzat publike nuk konfirmohen dot kur të përfshirët intervistohen nga Prokuroria.

Në fakt, Prokuroria Themelore e Mitrovicës pati ngritur më herët aktakuzë për ndeshjen Trepça – Fushë-Kosova, derisa vitin e shkuar së paku edhe për katër ndeshje të tjera kishin nisur hetimet me dyshimin për kurdisje të rezultateve.

Deri më tani nuk ka të dënuar për kurdisje. FFK-ja më shumë se një dekadë më parë kishte marrë masa ndaj një rasti. Një portier kishte pranuar kurdisjen e rezultatit dhe organet vepruan. E kishin më të lehtë. Këshilli, përkatësisht organet shtetërore tani e kanë të vështirë të gjejnë të tillë që flasin e që pranojnë. Dhe gjendja nuk po përmirësohet. Të gjithë pranojnë se ka kurdisje, por askush nuk i konfirmon ato. Nga akuzat nuk amnistohet asnjë skuadër, në fakt edhe ato që herët u përshëndetën nga Superliga, edhe ato që luftojnë deri në fund për mbetje në elitë, për dalje në Evropë apo për titull.

Aleancat mes klubeve janë një tjetër problem që pengon zhvillimin e futbollit kosovar. Klubet ndihmojnë njëra-tjetrën në arritjen e objektivave.

Zërat për kurdisje të ndeshjeve më së shumti rriten në fazën e fundit kampionale. Akuza se një skuadër i bëri favor skuadrës tjetër pati edhe në javët e shkuara. Pati akuza publike, ndër të tjera të tifozëve llapjanë se ndeshja Llapi – Drita, e fituar nga kjo e fundit, ishte e kurdisur. Por nga trajneri i Llapit, Tahir Batatina, u mohua kategorikisht.

“Zëra ka pasur dhe do të ketë gjithmonë, unë nuk mund t’i ndali”, ka thënë, ndër të tjera, trajneri Batatina në emisionin “Sporti Total” të KTV-së.

Frikë te Zvicra, Granit Xhaka ende po ndjen dhimbje nga lëndimi muskulor

Disidenti.net

KËTU mund ta shikoni LIVE duelin mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk

Disidenti.net

“Kam marr pasaportën e Shqipërisë, shpresoj të shkoj në Euro 2024” – Arbër Hoxha flet për mos ftesën nga Kosova

Disidenti.net