Komentatori i RTK-së, Arben Berisha, nuk përmendi asnjëherë emrin e Serbisë apo lojtarëve të saj në ndeshjen kundër Kamerunit. Por, ai po kritikohet edhe për shkak të mungesës së njohurive sa i përket Kamerunit.
Këtë kritikë e ka bërë Avdi Smajljaj, profesor i njohur i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, që ka bërë tifo për vendin afrikan.
“Komentuesve të Kampionatit Botëror në RTK, nëse u mungojnë njohuritë e kulturave të ndryshme në botë, nuk njohin kultura tjera përtej të tyres, do të duhej të paktën të dinë të lexojnë emrat ashtu siç shkruhen. Është kampionat botëror, jo ngjarje province.” – u shpreh ai.
Komentatori Berisha nuk dinte të lexonte siç duhej emrat e shumë lojtarëve të Kamerunit, ndërkohë që injoroi totalisht lojtarët serbë.
Nuk dihet nëse vendimi për injorimin e emrave të lojtarëve serbë ishte vendim personal i komentatorit Berisha apo qëndrim redaktorial i transmetuesit publik.
Ndeshja mes Serbisë dhe Kamerunit u mbyll me rezultat të barabartë 3:3.


