Presidenti iu drejtua amerikanëve me fjalët “Falë jush, popullit amerikan, përballë pandemisë më të vështirë që kemi ndeshur, kemi kapërcyer problemet logjistike” për të vënë nën kontroll këtë sfidë, duke nënvizuar gjithashtu ndihmat financiare për të mbrojtur amerikanët e goditur financiarisht nga pandemia.
Presidenti foli për përpjekjet e administratës së tij për të rimobilizuar ekonominë, duke thënë se SHBA duhet të fitojnë në konkurrencën me fuqi të tjera si Kina. Ai shtoi se gjatë periudhës së udhëheqjes së tij deri tani, 300,000 vende të reja pune u hapën në ekonominë amerikane. “Për këtë arsye po bëjmë investime në të ardhmen e ekonomisë amerikane, për të hapur vende pune, për të modernizuar ekonominë, për të ndërtuar ura e rrugë, për të siguruar ujë të pastër duke zëvendësuar tubacionet me përmbajtje plumbi që çdo amerikan të ketë ujë të pastër. Ky proces krijon mijëra vende të reja pune”.
Presidenti foli edhe për nevojën për të modernizuar infrastrukturën për lidhje me internetin, duke njoftuar se kishte caktuar Nënpresidenten Harris të drejtonte këto përpjekje.
“Falë Planit Amerikan të Shpëtimit jemi në rrugën e duhur për të përgjysmuar varfërinë ndër fëmijët amerikanë,” tha presidenti duke folur për nismën e tij për të ndihmuar financiarisht familjet amerikane me fëmijë të vegjël.
Preisidenti Biden, propozime për shpenzime masive për fëmijët, familjet amerikane
Presidenti amerikan Joe Biden po propozon zgjerim të konsiderueshëm të ndihmës federale për fëmijët dhe familjet amerikane në fjalimin e tij të mërkurën.
Presidenti Biden po paraqet detajet e propozimit të tij prej 1.8 trilionë dollarësh në një fjalim të transmetuar nga televizioni në shkallë kombëtare, para 200 ligjvënësve të ulur duke respektuar distancimin fizik, me maska dhe para zyrtarëve kryesorë amerikanë të mbledhur në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve.
Normalisht, për një fjalim të tillë do të kishte në sallë 1,600 të pranishëm, por numri po kufizohet ndjeshëm këtë radhë si rezultat i koronavirusit.
Plani përfshin dy vjet çerdhe për fëmijët të paguar nga shteti dhe dy vjet arsim falas në institucione dy vjeçare të arsimit të lartë. Kjo do të mbulohet, sipas planit të presidentit, duke rritur taksat për më të pasurit.
Përveç kësaj, propozimi i Presidentit Biden parashikon akordimin e 225 miliardë dollarëve për të mbështetur familjet amerikane të përballojnë koston e kujdesit për fëmijët dhe pagesa mujore prej të paktën 250 dollarësh për prindërit.
Para fjalimit, Shtëpia e Bardhë i cilësoi planet e presidentit për shpenzimet për familjet dhe arsimin e të rinjve, si dhe propozimin e mëparshëm për projekte në infrastrukturë me vlerë 2.3 trilionë dollar si “investime që ndodhin një herë në një gjeneratë për vendin tonë”.
Këto propozime, nëse miratohen nga Kongresi, do të rezultojnë në një rol dhe angazhim shumë më të madh të qeverisë federale në jetën e amerikanëve. Pjesa më e madhe e republikanëve nuk janë dakord me këtë zgjerim të rolit të qeverisë, megjithëse këto plane nuk janë aq radikale sa ç’kanë kërkuar elementët më progresistë të Partisë Demokrate.