Abdixhiku para mediave pas përfundimit të takimit ka thënë se kryesia ka mbështetur propozimin që të takohen me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani gjatë javës në vazhdim.
“Kryesia ka mbështetur propozimin e LDK-së që të vazhdojë bisedimet vetëm me presidenten Vjosa Osmani. Po pres dhe besoj që gjatë javës Vjosa Osmani të caktojë datën dhe vendin e takimit”, ka thënë ai.
Pyetur nga gazetarët se a do ta votojë LDK qeverinë Kurti, Abdixhiku ka thënë se roli i kësaj partie “është i qartë”, raporton Demokracia.com.
“Ne jemi opozitë, roli i LDK-së është i qartë. Ne do të vazhdojmë të jemi në opozitë, LDK do të jetë aty ku vendi e ka kërkuar”, tha ai.
Kujtojmë se LDK sot ka zgjedhur kryesinë e re. Nënkryetarë të partisë janë Lutfi Haziri, Anton Quni, Shqipe Mjekiqi dhe Gazmend Muhaxheri.
Sekretar i LDK-së është zgjedhur Imri Ahmeti.
Ndërkaq, emra të njohur në këtë parti si Agim Veliu dhe Haki Rugova kanë mbetur jashtë listës së anëtarëve të kryesisë.