Disidenti
Lajme

Osmani për Berishajn: Ne i besojmë ambasadorit tonë

0Shares

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se i beson ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pasi ai u përmend në një raport të një mediumi slloven të enjten për përfshirje në një skandal financiar.

Osmani është përgjigjur në pyetjen rreth rastit të Berishajt gjatë konferencës me presidentin letones, e ku tha se një gjë e tillë nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, “por thjesht është shkruar nga një media, për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do të ndjek të gjitha rrugët ligjore drejt një gjëje të tillë”.

Osmani citoi një thënie të presidentit amerikan duke nënkuptuar se akuzat për Berishajn janë dezinformata.

“Atyre që publikohen, siç e ka thënë presidenti Biden: rreziku më i madh për demokracinë tonë nuk janë vetëm tanket, por edhe dezinformatat. Si presidente pres që çdo gjë që publikohet të konfirmohet, dhe nëse nuk konfirmohen ne procedojmë ashtu si i kemi marrë vendimet tona dhe ne i besojmë ambasadorit të Republikës sonë kur mohon akuza të tilla”.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka quajtur shpifje akuzat se ai është i përfshirë në një skandal financiar i zbuluar në Slloveni nga mediat atje se ai ka bartur para rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi te politikani slloven, Robert Golob.

Ai ka thënë se mediumin i cili publikoi shkrimin do ta padisë, duke shkruar se duhet të mbrohet drejtësia dhe e vërteta, “përndryshe shpifjet bëhen normale”.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes të akterëve kryesorë politik i z. Jansa dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet Tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit në fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës”, shkroi ai të premten në Facebook.

Të enjten vonë, mediumi slloven “Planet TV” raportoi për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, e të cilën e ka titulluan si skandal të madh financiar. Sipas këtij mediumi, ai ëhstë nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi. Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme. Berishaj, supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Kompania private MB Consulting në Mal të Zi ka lidhur një marrëveshje. Bëhet fjalë për dërgesa mujore të parave prej pesë mijë deri në 55 mijë euro, që në total janë më shumë se gjysmë milioni euro para të gatshme të derdhura në xhirollogarinë e MB Consulting nga dega për Serbi e GEN-I. U vërtetua se kjo kompani ishte themeluar vetëm dhjetë ditë para transfereve të para nga GEN-I Beograd.

Një burim i mediumit zbuloi se pothuajse të gjitha paratë në formën e tërheqjes së parave të gatshme janë tërhequr nga llogaria e MB Consulting. Pronari i MB Consulting dhe i vetmi punonjës, Martin Berishaj, e ka arsyetuar këtë në organet tatimore të Malit të Zi me një marrëveshje kredie që ka lidhur me kompaninë e tij. Pjesën e parave prej 197 mijë e ka tërhequr nga llogaria e tij personale, ndërsa pjesën tjetër të parave, gati 320 mijë euro, e ka tërhequr si pagesë fitimi nga një llogari biznesi, raportoi Planet TV.

Burimi që ka siguruar dokumentacionin për mediumin slloven ka thënë se janë informacione që janë shkëmbyer mes shërbimeve të ndryshme të inteligjencës gjatë hetimit financiar. Ata dyshohet se e kanë njohur Berishajn si një nga njerëzit që i ka çuar paratë te Golobi.

Kurti pret që BE-ja t’i largojë masat ndaj Kosovës: Nuk kanë qenë të drejta asnjëherë, tash janë bërë edhe absurde

Disidenti.net

Dështon ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë – mjekët, mësimdhënësit, policët, zjarrfikësit, mbesin pa rroga

Disidenti.net

Aksion i Antidrogës në Pejë: Sekuestrohet mbi një ton drogë në vlerë të rreth 5 milionë euro

Disidenti.net