Para 10 vitesh, më 2012, Kosova ishte bërë me Pagë Minimale. Për personat nën moshën 35 vjeçare ajo ishte 130 euro në muaj, ndërsa për personat mbi moshën 35 vjeçare ishte 170 euro. ‘Njihuni’ (shih thonjëzat, të lutem) me punëtorin e shtypur 28-vjeçar që me kontratë pune paguhej 130 euro prej asaj kohe e deri tash, e që do të përfitojë prej vendimit të fundit të Qeverisë që ia rrit pagën në 250 euro.
Prej kohës kur isha adoleshent, më bren një dyshim fort i sikletshëm për politikën ditore kosovare: mos pahiri politikanët tanë nuk ekzistojnë përnjëmend si politikanë? Mos vallë këta njerëz përnjëmend i mendojnë ato që i flasin? E nëse po, si ka mundësi që të quhen politikanë njerëzit më apolitikë në Kosovë?
Ky dyshim nuk më shfaqej kur hasja gabime drejtshkrimore a sintaksë të çalë te politikanët. Në fakt, kjo është një lidhje e fortë mes tyre dhe realiteti tonë arsimor. Dyshimi më shfaqej sa herë që i dëgjoja duke folur për telashet e vendit.
Pra, unë ndaj bindjen e thellë se politikanët kosovarë jetojnë në një realitet tjetër ndërsa të gjithë ne të tjerët jetojmë në realitetin tonë.
Ky realitet politikanësh është realitet zori. Është një realitet i numërueshëm politik, ekonomik, social e kulturor. Është një realitet që zhduket sa hap e mbyll sytë sapo numrat zhduken.
Së fundi, dyshimi se politikanët tanë s’janë tjetër pos disa badihavxhi që u mungonte një profesion i vërtetë, mu shfaq kur pashë diskutimet mbi pagën minimale.
“Rritëm pagën minimale për të gjithë në 264 euro, nga 130 euro e 170 euro sa ishte. Pra, po e rrisim për 103% pagën minimale për punonjësit nën 35 vjeç, e për 55% për ata deri në 65 vjeç”, tha dje Qeveria e Kosovës në komunikatën numër 69.
Në këto dy fjali të shkurtëra kemi tre numra dyfshifrorë dhe tre numra treshifrorë, pra gjashtë numra gjithsej. Por, absolutisht asgjë që na lidh me realitetin që e shohim para syve tanë.
E ky realitet na thotë tjetërçka. Ky realitet matanë numrash na thotë që në fakt nuk ekzistojnë punëtorët e shtypur poshtë moshës së lartpërmendur që marrin nga 130 apo nga 170 euro me kontrata pune. Edhe nëse ekzistojnë, numri i tyre del të jetë krejtësisht i papërfillshëm. Aq i papërfillshëm sa edhe qesharak, saqë një qeveri e tërë e një opozitë e tërë të merrej me ta.
Në anën tjetër, ekziston një ekonomi e fuqishme informale për të cilën nuk ekziston asnjë matje serioze dhe asnjë strategji serioze për shfrytëzimin e saj.
Derisa Qeveria e opozita operojnë me këtë realitet të ngushtë numrash – që po e themi arbitrarisht, ndoshta në krejt Kosovën s’i përfshin as dhjetë punëtorë – kemi një realitet tjetër që na thotë se janë 200 mijë aplikime për viza pune në Gjermani. Po ashtu, që na thotë se mes tyre ka njerëz që kanë rroga sa dyfishi i pagës së kaluar e i pagës së tanishme minimale.
Në këtë debat të përçudshëm, ish-kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri – ndoshta thjesht për shkak të prefiksit “ish” – kishte lirinë të thoshte diçka më të përafërt me këtë realitet të panumëruar:
“Sektorë të ndryshëm të ekonomisë funksionojnë në mënyra të ndryshme. Shembull, paga minimale nuk e prek sektorin e IT-së fare, pasi nuk ka njerëzit në atë sektorë që punojnë me atë pagë minimale. Paga minimale në telekomunikacion do të ishte shumë më e lartë, derisa në ndërtimtari më e ulët. Në shitje me pakicë edhe më e ulët”, tha ai.
Por, pse po kërkon Jusuf Azemi, kryesindikalisti i punëtorëve të sektorit privat – pra edhe kryesindikalisti im si punëtor – një pagë minimale prej 400 eurove?
Edhe ai duket krejt i humbur në këtë debat dhe i çlidhur nga realiteti im e i krejt punëtorëve tjerë të sektorit privat. Kush e caktoi që të na përfaqësonte, se?
Mirëpo, nëse doni të çuditeni edhe më shumë, shihni se çka thotë Besnik Tahiri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës:
“Paga minimale duhet të jetë 370 euro neto, që nënkupton 400 euro bruto. Vendimi i sotëm është edhe një pazotësi e qeverisë me iu përgjigjë gjendjes së rendë në vend. Në fakt, vlerësimet e fundit tregojnë se 250 euro vetëm sa ka arritur paga në shumë veprimtari të sektorit privat.”
A e njeh Besnik Tahiri “gjendjen e rëndë në vend”? Dhe për cilat vlerësime “të fundit” po flet? Natyrisht që edhe Tahiri me partinë e tij nuk kanë as njohuritë më elementare mbi realitetin ekonomik për të cilin flasin.
Besnik Bislimi, në cilësinë e ministrit të Financave, para dy vitesh e kishte treguar obsesionin e tij me numrat duke e rritur përjavshëm punësimin në kohën sa ekonomia e Kosovës ishte e mbyllur për shkak të pandemisë.
Nuk do shumë mend se ajo çka Qeveria duhet të bëjë dhe opozita të kërkojë, është hartimi i një strategjie që shënjestron (jo thjesht, ose ndoshta jo fare, penalisht) ekonominë informale dhe funksionalizon inspektoriatin e punës./Nacionale.com