“Këtu jemi në njërën prej 18 pikave të reja që do të shërbejnë si pikë ushqyese për qentë endacakë.
Në total janë 23 pika ushqyese për qentë endacakë. Arsyeja e intervenimit të menjëhershëm ka qenë për t’i siguruar qytetarët.
Në bazë të studimeve, aty ku ka pas pika ushqyese nuk ka pas sulm ndaj njerëzve”, pati deklaruar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, më 1 prill të këtij viti teksa njoftoi për njërën nga pikat ushqyese për qentë endacakë që gjendej brenda kampusit të UP-së. Tetë ditë më vonë, në vendin ku ai përuroi pikat ushqyese, ndodhi një tjetër sulm nga qentë endacakë.
Sipas faqes “Vrojtuesit e Lagjes”, një qytetar është sulmuar nga 6-8 qen në mes të ditës. Përmes fotove shihet se viktima ka pësuar dëmtime në këmbë.
“Sot, përballë Kishës, te Parku, afër Bibliotekës Kombëtare, rreth orës 12:10, më kanë sulmuar afër 6-8 qenë. Ju lutem, kujdes. Mos kaloni andej”, shkruhet në mbishkrimin e fotografive ku shihen dëmtimet e personit të sulmuar nga qentë endacakë.
Vetëm disa ditë më parë, edhe një punonjës i KOHËS, Fidan Imeri, rrëfeu se si ishte sulmuar nga qentë endacakë pikërisht në vendin e njëjtë ku ka ndodhur edhe sulmi i sotëm.
Megjithëse janë ndarë 46 mijë euro dhe Komuna thotë se ka filluar me kastrimin dhe sterilizimin e tyre, sulmet nga qentë endacakë nuk po ndalen.
Kompetencat janë bartur në Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinës tash e 2 vjet, por kjo nuk e ka përmirësuar trajtimin e qenve endacakë.
© KOHA.