Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se pandemia ka sjellë vështirësi për të gjithë e edhe për mësimdhënësit, gjersa ka shtuar se situata me Covid-19 ka bërë që shumë nxënës të pësojnë ngecje në mësime.
Kjo sipas saj, është arsyeja që kanë marrë vendim për organizimin e mësimit plotësues për këta fëmijë.
“E mbaj mend kur unë isha nxënëse kemi mbajtur mësim shtues e plotësues e të njëjtën e kam praktikuar edhe vet sa kam qenë mësimdhënëse. Në kohën kur puna e mësimdhënësit është mbajtur me përgjegjësi, nuk ka pasur kërkesa për refuzim të mësimit plotësues. Unë njoh shumë mësimdhënës që edhe tash mbajnë mësim plotësues por fatkeqësisht jo të gjithë e bëjnë këtë.”
“Jam e vetëdijshme po ashtu, se kemi shumë mësimdhënës që me përgjegjësi të lartë e kryejnë detyrën e tyre dhe janë në shërbim të nxënësve duke i mbështetur si fëmijët talentë ashtu edhe ata që kanë vështirësi në të nxënë. Por, gjendjen në arsim nuk e kemi aspak të mirë dhe jo rastësisht jemi në një situatë të tillë. Ndikimet partiake e vendimet e nënshkruara në kohë fushatash janë arsyeja kryesore që e kanë degraduar arsimin.”
Nagavci përmes një postimi në Facebook ka thënë se për rezultatet e ulëta në arsim, përgjegjës janë edhe SBASHK-u si përfaqësues të mësimdhënësve.
“Si ministre e Arsimit pres që DKA-të, shkollat e mësimdhënësit ta respektojnë vendimin për mbajtjen e mësimit plotësues për ata fëmijë që kanë pasur ngecje gjatë kësaj periudhe. Çdo tendencë për të penguar punën me nxënësit që kanë ngecje, është dashakeqe dhe e papranueshme.