Presidentja e vendit, Vjosa Osmani si dhe kryeministri Albin Kurti kanë udhëtuar sot për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bashkë me Osmanin dhe Kurtin në këtë vizitë zyrtare është nisur edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Arsyeja që çoi Osmanin, Kurtin dhe Rizvanollin në Amerikë është pikërisht një prej marrëveshjeve apo investimeve më të mëdha në kuadër të energjisë në Kosovë, e njohur si “MCC”.
Në njoftimin për media nga Qeveria e Kosovës u tha se në këtë vizitë do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në vlerë prej 236.7 milionë dollarë.
“Objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen. Objektiv tjetër i projektit është edhe zhvillimi i shkathtësive në fushën e energjisë dhe ngritja e punësimit të grave në këtë fushë”,thuhet tutje nga Qeveria e Kosovës.
Po ashtu gjatë këtij udhëtimi pritet që Osmani dhe Kurti të zhvillojnë edhe takime të tjera në Amerikë.
Lidhur me këtë marrëveshje dhe vizitë të Osmanit dhe Kurtit në Amerikë, ka kontaktuar ish-kryeministrin e vendit, Isa Mustafa.
Ish-kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se marrëveshja për MCC-në është tepër e rëndësishme për Kosovën dhe bashkëpunimin me SHBA-të, sepse programi është nën ingerencat e drejtpërdrejta të sekretarit shtetëror të SHBA-së.
“MCC ka filluar gjatë qeverisjes sime. Merita të veçanta për këtë program ka edhe Presidentja Atifete Jahjaga”, theksoi Mustafa.