Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se ajo nuk ka dëshmuar në Gjykatën Speciale, as më pare dhe as tani.
“Për të mos e keqpërdorur vizitën e homologut, jo as nuk kam qenë dhe as nuk jam, besoj përgjigja është e mjaftueshme”, tha Gërvalla në konferencën për media që mbajti me homologun e saj kroat, shkruan Reporteri.net
Per dallim nga deklarata e sotme, vite më parë ministrja Gërvalla kishte deklaruar se do të ishte e gatshme të dëshmonte në Gjykatën Speciale kur ajo të formohet.
“Gjykata Speciale ende nuk është institucion që një qytetar t’i drejtohet, brenda mundësive që kam patjetër (se do t’i drejtohen), sa do të merren në konsideratë është gjë tjetër”, ka thënë Gërvalla.
Pas publikimit të kësaj deklarate nga mediat, ditëve të fundit partia opozitare PDK por jo vetëm kanë kërkuar shkarkimin e ministres Gërvalla.
“Dje, duket që filloi një fushatë kundër zëvendëses sime dhe ministres së MPJD, znj. Donika Gërvalla, me tezën se ajo nuk e respekton UÇK-në. Është interesante qysh kjo fushatë nuk nisi kur znj. Gërvalla erdhi në listën tonë zgjedhore e as kur u emërua ministre, por tash që u kthye nga vizita e suksesshme në Bruksel.”, ka shkruar Kurti në Facebook. /Reporteri.net/.