Donat Lushaku, njohë i ligjeve dhe njëherit edhe zyrtar ligjor, ka gjetur një mori gabimesh e shkelje ligjore në vendimin e fundit të ministrit të shëndetësisë, Arben Vitisë, ku ky i fundit anluoi një konkurs për staf mbështetës.
Shkrimi tij:
Në preambulë të vendimit sekretari i MSh thirret në Rregulloren Nr. 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive (22.03.2011), e cila është shfuqizuar që moti, duke u plotësuar-ndryshuar disa herë, dhe tash në fuqi është Rregllorja Nr. 06/2020, e plotësuar-ndryshuar me Rregulloren Nr. 07/2020.
Pak më tutje, e siç e dimë nga elementet e aktit juridik, baza ligjore përbën skeletin kryesor, i njëjti thirret në krejt përmbajtjen e ligjit, saktë në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, pa specifikuar nen e dispozitë ligjore.
Arsyetimi nuk ka historik të çështjes, sqarim procedural, është i shkurtër, pa përmbajtje profesionale e juridike, dhe as nuk specifikon në detaje rrjedhën e gjithë procedurës rekrutuese.
Dhe, krejt në fund këshilla juridike përcakton të drejtë hapjeje të konfliktit administrativ, duke tejkaluar kështu një shkallë tjetër me rëndësi të ankimimit, e që për rastet e tilla është Inspektorati i Punës.
Prandaj, duke vepruar mbi bazën e inateve politike dhe joprofesionalizmit në kohë pandemie, vendimet që sjellin më shumë dëm se dobi janë në të keqën e institucioneve shëndetësore, e njëkohësisht demotivim për mjekët dhe infermierët kosovarë.
Nuk do të hesht as edhe një moment para gabimeve të tilla profesionale, dhe opozitën e denjë politike dhe ligjore do ta bëj vazhdimisht dhe pa asnjë fyerje e sharje, vetëm në drejtim të përmirësimit të veprimeve e procedurave ligjore, nga ata që deri dje shtetin e kanë konceptuar si të huaj dhe flamurit shtetëror i kanë vënë epitetin lara-lara.
Post scriptum: Foto e parë dëshmon Rregulloren që tani është në fuqi dhe foto e dytë vendimin e nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë.