Masat e reja shtrënguese të vendosura nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së pandemisë me COVID-19, të cilat kufizojnë veprimtarinë e shumë bizneseve të gastronomisë dhe mbylljen e qendrave tregtare, pritet të kenë ndikim në të hyrat e buxhetore nga Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës.Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë për KosovaPress, se masat kufizuese ndikojnë në rënien e aktivitetit ekonomik, dhe pa dyshim që ndikon edhe në rënien e të hyrave.
“Nuk mund të themi se do të ndikojnë(masat) automatikisht, për shkak se masat sapo janë marrë dhe nuk kanë ende efekt direkt, mirëpo mund të themi që vitin e kaluar ne kemi parë efektin i cili është shkaktuar. Realisht kemi parë që ka pasur ulje të aktivitetit ekonomik. Në momentin kur ka ulje të aktivitetit ekonomik, atëherë domosdoshmërisht ka edhe ulje të të hyrave. Por për momentin që po flasim, edhe sot të hyrat janë duke performuar në nivelin e kënaqeshim”, thekson Stavileci.
Edhe në ATK mendojnë se vendimi qeveritar për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, do të shkaktojë tkurrje të të hyrave, por jo me ndikim të theksuar sikur që ka qenë vitin e kaluar me mbyllje totale.
Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa ka thënë se vendimi i tanishëm sa do që është më i lehtë, krahasuar me atë të vitit të kaluar, konsiderohet se do të ketë ndikim në të hyra.
“Ky vendim është pak më i lehtë, pasi që nuk kemi mbyllje, por kemi kufizim të operimit kryesisht gastronomisë, mbyllje të qendrave tregtare dhe një pjesë të ngjashme të kësaj natyre të bizneseve. Ne konsiderojmë që edhe kjo do të ketë impakt në të hyra. Mirëpo, se sa do të jetë varet se sa do të zgjatë. Ne si institucion jemi të përgatitur dhe jemi të fokusuar që të punojmë jashtëzakonisht dhe me të gjitha kapacitetet, çdoherë brenda mundësive të vendimeve të qeverisë, pasi që me vendimin e fundit është paraparë që të punohet edhe me staf esencial dhe të ngjashme. Mirëpo, po besoj që rezultat do të ketë, dhe urojmë që mos të kemi rënie por, vetëm një zvogëlim dhe jo rënie të madhe të të hyrave, pasi që ndikimi i rrethanave të pandemisë sikurse në vitin e kaluar por edhe në këtë vit në mënyrën se si është duke shkuar, do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në stabilitet financiar të komplet Republikës së Kosovës, kjo do të na çoj ndoshta në një rënie ekonomik padyshim të kësaj ekonomie”, thekson ajo.
Megjithatë, përkundër krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës në tre mujorin e parë të këtij viti kanë shënuar rritje të të hyrave për buxhetin e shtetit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Dogana e Kosovës ka arritur që të arkëtojë 14% më shumë hyra se periudha paraprake e vitit të kaluar.
Zëdhënësi i Doganës, Stavileci ka thënë se në tre mujorin e parë të këtij viti, kanë inkasuar mbi 270 milionë euro dhe synojnë ta përmbushin planin vjetor mbi 1 miliard euro.
Ndërsa, zëdhënësja e ATK, Bytyqi-Sefa thekson se ATK-ja në tre mujorin e parë të këtij viti ka shënuar një trend tejet pozitiv për dallim nga rrethanat e krijuara për shkak të pandemisë, duke inkasuar rreth 134.7 milionë euro.
Vitin e kaluar me vendimet qeveritare për mbyllje totale të bizneseve, aktiviteti ekonomik kishe shënuar rënie 1.2 miliard euro.