Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka deklaruar se Qeveria Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë shkelur premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore rreth pagesës së shumës së energjisë elektrike të shpenzuar ndër vite nga serbët në komunat veriore.
“Është jo etike kur deputetët të opozitës abuzojnë me emrat e heronjve për t’i mbuluar thyerjet e premtimeve zgjedhore dhe fjalën e dhënë. Ne ju kemi thënë do ta keni mbështetjen e fuqishme nga e nëse jeni të gatshëm ta ndërpreni pagesën, e cila nuk është e ligjshme për atë që bëjnë serbët në katër komunat e veriut. Ata për 20 vjet kanë trumbetuar se ne e kemi përkrahur këtë pagesë jo legjitime, ne në asnjë moment nuk e kemi bërë pagesën për komunat në veri”.
“Ata që kanë ardhur me premtime se do ta ndërpresin këtë dukuri negative, me vendimin e Kuvendit e kanë shkelur premtimin e tyre ndaj qytetarëve të Kosovës. Kjo sidomos kur Qeveria e ka ndalur pagesën e 20 eurove për pensionistet duke u thirrur se nuk ka buxhet. A thua ku u morën 11 milionë euro për pagesën e rrymës që është jo legjitime? Në këtë drejtim Qeveria e ka goditur qytetarin e Kosovë, kjo është e padrejtë po diskriminohen shumica e qytetarëve që kanë qenë të ndërgjegjshëm”.
“Andaj, si duket për këtë qeveri më e arsyeshme duket që të paguhet rryma për serbët në veri se sa, shtesat për heronjtë,fëmijët e heronjve, shtesat në ekonomi, shëndetësi, arsim dhe të tjera. Kjo qeveri e llogarit të paarsyeshëm pagesën për mbrojtjen e çlirimtarëve tanë që janë duke u mbajtur në Hagë. Më të lehtë e kanë të jepen 11 milionë euro për rrymë në veri se sa 1.6 milionë për mbrojtjen e luftës së shenjtë të UÇK-së”, ka thënë Lekaj.

