Kryeministri Albin Kurti ka folur për gazetën e njohur britanike “The Financial Times”, pak ditë para se të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel. Kësaj radhe, Kurti nuk përmendi luftën. Megjithatë, shefi i ekzekutivit ka folur për relacionet me Serbinë, e marrëdhëniet me aletatët e Kosovës. Dhe natyrisht, mundësitë e tensioneve të reja mes dy vendeve.
Në këtë artikull, i pari i Qeverisë foli edhe për Vladimir Putinin, president i Rusisë, duke theksuar se serbët duhet të emancipojnë veten nga kreu i Kremlinit.
Çfarë tha Kurti në Financial Time?
Deklarata e parë e Kurtit, e cituar nga gazeta britanike, është një kërkesë e liderit të VV-së drejtuar aleatëve perëndimorë.
“Ne kemi nevojë për ndihmën e aleatëve dhe partnerëve tanë – Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të tjerëve – për të na ndihmuar me mosnjohësit”,theksoi Kurti.
Kryeministri i Kosovës foli edhe rreth marrëdhënieve me Serbinë, të cilës i kërkoi ta lë mënjanë nacionalizmin, i cili sipas Kurtit po shkakton makthe për fiqnjët e shtetit serb.
“Këtu, mendoj se është problemi me Beogradin. Ata thjesht vazhdojnë me ëndrrat e vjetra, të cilat bëhen makthe për fqinjët e Serbisë, por edhe për popullin serb”, theksoi Kurti për FT, transmeton Nacionale.
Ndërsa në lidhje me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, Kurti tha se ajo duhet të përqendrohet në njohjen reciproke mes dy vendeve.
Madje, Kurti tha se për ta luftuar nacionalizmin, duhen të drejta simetrike mes kosovarëve në Serbi dhe serbëve në Kosovë.
“Ajo që dëshiron Serbia është të marrë fondet e BE-së, armët ruse, investimet kineze dhe tolerancën amerikane. Nëse demokracitë perëndimore nuk e lejojnë këtë, një zgjidhje do të jetë shumë e lehtë për t’u arritur. Por nëse [serbët] lejohen të luajnë këtë lojë, ky tension do të vazhdojë”, deklaroi Kurti.
Financial Times ka cituar edhe deklaratat e javës së kaluar të Kurtit rreth luftës.
E në artikull, citohet edhe Petar Pekoviç, shefi i delegacionit teknik të Serbisë në dialogun në Bruksel.
“Petar Petkoviç, zyrtari më i lartë i qeverisë serbe për çështjet e Kosovës, tha në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjeve të FT se Beogradi po ndiqte një “politikë të pavarur kombëtare dhe të sigurisë, duke bashkëpunuar në mënyrë të balancuar si me lindjen ashtu edhe me perëndimin””, citon Financial Times, transmeton Nacionale.
Kurti javën e kaluar
23 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, kryeministri Albin Kurti po paralajmëron se një konflikt mund të ndodhë sërish.
Dy herë brenda pak ditësh, kryeministri Albin Kurti ka folur për mundësinë e fillimit të një lufte të re në Kosovë.
Fillimisht e tha për gazetën italiane “La Repubblica”, e më pas edhe për “Reuters”. Sipas shefit të ekzekutivit, është e papërgjegjshme që të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve.
Deklarimet e Kurtit nuk u pritën hiç mirë tash kur situata në veri të vendit ishte e tensionuar për shkak të vendimit për reciprocitet për targa dhe dokumentet të identifikimit me Serbinë.
Reagime pati dhe nga partitë opozitare.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar të mos ndjellet frikë e panik te qytetarët, derisa shtoi se Serbia e di shumë mirë se çfarë sjell konflikti me NATO-n.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri me paralajmërime të tilla nënkupton se e dëshiron krizën dhe ëndërron protagonizëm te paniku.
Kujtojmë se Kurti dhe Vuçiq do të takohen në Bruksel më 18 gusht pas tensioneve në veri.