Sapo ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të vendit Albin Kurtit dhe presidentes Vjosa Osmani për të caktuar datën e zgjedhjeve lokale, që pritet të mbahen në vjeshtë.
Pas këtij takimi me dyer të mbyllura, Kurti ka deklaruar për media se datë e përshtatshme e mbajtjes së zgjedhjeve lokale është 22 tetori.
Ai tha se edhe zgjedhjet e kaluara lokale janë mbajtur me këtë datë, raporton Zeri.info.
“Porsa isha në takim me presidenten Osmani lidhur me zgjedhjet lokale, përkitazi me caktimin e një date sa më të përshtatshme. Meqenëse më 22 tetor të 2017-ës u patën mbajtur zgjedhjet lokale, konsiderojmë që muaji tetor është muaji që do të duhej të mbaheshin këto zgjedhje”, tha Kurti.
Ai tha se LVV-ja konsideron që sa më herët të mbahen zgjedhjet, aq më mirë është, por sipas tij presidentja do t’i takojë edhe kryetarët e subjekteve të tjera dhe do të caktojë një datë shumë të rëndësishme edhe për Republikën, por edhe për qeverisjen e mirë komunale.
“Sivjet do të ketë zgjedhjet dhe ato janë tejet të rëndësishme, pasi kjo ndikon në jetën e mirë, të cilën e meritojnë qytetarët e vendit. Për neve sa më herët, aq më mirë”, deklaroi Kurti, raporton Zeri.info.

