Kryeministri i vendit dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pasi ka dështuar propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje që shqyrtimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të bëhet me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës. Kurti ka thënë se është në dorën e opozitës nëse do ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente ose ta çojnë vendin në zgjedhje.
Kurti ka thënë se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme do të ndryshohet nëse jo me procedurë të përshpejtuar, atëherë me procedurë të rregullt.
Ai më tej ka thënë se “ka aso që nuk u pëlqen ky projektligj ka qenë e pritur, por ky panik histerik për votimin e mërgatës është befasues”.
“Ne nuk mund dhe nuk duam ta çojmë vendin në zgjedhje të sërishme sepse ne duam ta zgjedhim Presidenten e re. Ata që nuk e duan zgjedhjen e Presidentes, ata që nuk e duan Presidenten, që kanë bërë e po bëjnë luftë speciale kundër saj, mund ta çojnë vendin në zgjedhje. Me zgjedhjen e tyre ata i kanë zgjedhjet në dorë: ose mbi 80 vota në kuti për Vjosa Osmanin, ose mbi 500 mijë vota në kuti për Lëvizjen VETËVENDOSJE”, ka thënë Kurti, përcjell Telegrafi.
Postimi i plotë i Kurtit:
“Një projektligj i vonuar e jo i nxituar
Projektligji i mbrëmshëm është në funksion të garantimit të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët e Kosovës. Mërgata jonë, ndonëse plot vullnet e gatishmëri ta ndihmojë vendin tonë, ka hasur në pengesa të ndryshme në pjesëmarrjen e saj në jetën politike në Kosovë. Ky Projektligj e mundëson votimin e bashkatdhetarëve në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës, pra pjesëmarrjen më të lehtë në proces duke filluar që nga zgjedhjet e ardhshme.
Me anë të këtij Projektligji, synohet lehtësimi i realizimit të së drejtës elementare kushtetuese për votim dhe shprehje të vullnetit të qytetarëve të Republikës me të drejtë vote. Kjo e drejtë deri tani është penguar me qëllim dhe asnjë nga pushtetet e kaluara nuk e ka konsideruar të rëndësishme.
Ky Projektligj nuk ka të bëjë me reformën zgjedhore dhe bazohet në rekomandimet e mëhershme të Avokatit të Popullit. Kosova i ka 55 misione diplomatike (28 ambasada dhe 27 zyra konsullore) të cilat kanë edhe fah postar që duhet të jetë në funksion të pranimit të votave.
Projektligji nuk është ndonjë Ligj i ri. Ky është një Ligj të cilin ne si deputetë e patëm iniciuar që në legjislaturën e gjashtë, patëm vazhduar ta përkrahim miratimin e tij edhe në legjislaturën e shtatë, dhe tani kur janë krijuar rrethanat e përshtatshme për miratimin e tij, e aprovuam dje me opinion pozitiv në Qeveri dhe e përcollëm për miratim në Kuvend në legjislaturën e tetë.
Në vazhdimësi, e së fundmi më 18 shkurt 2021, kemi paralajmëruar se ky do të jetë një nga ligjet e para që do t’i votojmë në Kuvend. Votimi në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës është një e drejtë e vonuar. E në zgjedhjet e kaluara ka qenë e drejtë e mohuar.