Disidenti
Lajme

Kurti: Çdo shqiptar që është në diasporë është ambasador i yni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në aktivitetin “Karvani i Diasporës”, që sot u ndal në Komunën e Podujevës.

Ky aktivitet ka nisur ditë më parë me rastin e ardhjes së bashkatdhetarëve në vendlindjet e tyre dhe organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe me mbështetje edhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Në fjalën e tij, para bashkatdhetarëve të shumtë, kryeministri Kurti i falënderoi ata që, siç tha ai, na bënë bashkë këtu pranë përmendoreve të heronjve dhe të dëshmorëve, të atyre që dhanë gjithçka në mënyrë që ne të jetojmë të lirë në atdheun tonë, në vendlindjen tonë.

Po ashtu, ai i falënderoi posaçërisht mërgimtarët që asnjëherë nuk po e harrojnë Kosovën, nuk po e harrojnë Podujevën, dhe po vinë këtu të çmallen me familjen e tyre, me farefisin e gjerë, por edhe me miq e dashamirë që i kanë në vendlindje.

“Republika e Kosovës i ka 1.85 milionë banorë, po i ka rreth 2.5 milionë qytetarë. Pra mund të thuhet që gati çdo i treti që është qytetar nuk është edhe banor. Ne e kemi diasporën, mërgatën shumë të madhe dhe ajo ka pasur një rol të madh historik në politikë, në ekonomi dhe në kulturë”, tha kryeministri, njofton ZKM-ja, transmeton Paparaci.

Më tej, ai tha se duke iu falënderuar mërgatës sonë, ne e kemi financuar luftën çlirimtare dhe e kemi sot lirinë, por gjithashtu duke iu falënderuar mërgatës sonë ne e kemi edhe paqen sociale për shkak të dërgesave, remitancave që i dërgon ajo.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës në 5 vjetët e fundit më shumë se 4 miliardë e gjysmë euro i kanë sjellë bashkatdhetarët tanë si dërgesa në vendlindje. Ndërkaq, investimet janë më shumë se 1 miliard e gjysmë gjatë këtyre 5 vjetëve të fundit.

Kryeministri Kurti, tha se me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, kemi nis fushatën që e mbështet edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që quhet “Karvani i Diasporës”, kemi nis dialogun me diasporën dhe gjithashtu fushatën “Shijojeni Kosovën”.

Jemi të interesuar që fëmijët e bashkatdhetarëve tanë sa më shumë të mirëpriten në Kosovë dhe pushimin që e bëjnë këtu ta shfrytëzojnë për të mësuar shqipen më mirë dhe për t’u njoftuar më shumë me kulturën e prindërve të tyre, me kulturën e paraardhësve të tyre, tha ai.

Andaj, u shpreh kryeministri Kurti, ne besojmë që është i mundshëm integrimi pa asimilim, dhe me ministritë tona do t’ju ndihmojmë për këtë gjë. Në veçanti e kemi programin “Diplomacia qytetare”, sepse ne konsiderojmë që bashkatdhetari ynë është diplomati më i madh i Kosovës, çdo shqiptar që është në diasporë është ambasador i yni.

Fjala e plotë e kryeministrit Albin Kurti në aktivitetin “Karvani i Diasporës” në Podujevë:

Faleminderit shumë që na keni bërë bashkë këtu pranë përmendoreve të heronjve dhe të dëshmorëve të atyre që dhanë gjithçka në mënyrë që ne të jetojmë të lirë në atdheun tonë, në vendlindjen tonë. Dhe, ju faleminderit posaçërisht juve mërgimtarë që asnjëherë nuk po e harroni Kosovën, nuk po e harroni Podujevën, dhe po vini këtu të çmalleni me familjen e juaj, me farefisin e gjerë, por edhe me miq e dashamirë që i keni në vendlindje.

Republika e Kosovës i ka 1.85 milionë banorë, po i ka rreth 2.5 milionë qytetarë. Pra, mund të thuhet që gati çdo i treti që është qytetar nuk është edhe banor. Na e kemi diasporën, mërgatën shumë të madhe dhe ajo ka pasur një rol të madh historik në politikë, në ekonomi edhe në kulturë. Duke iu falënderuar mërgatës sonë ne e kemi financu luftën çlirimtare edhe e kemi sot lirinë, por gjithashtu duke iu falënderuar mërgatës sonë ne e kemi edhe paqen sociale për shkak të dërgesave, remitancave që i dërgon ajo. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës në 5 vjetët e fundit më shumë se 4 miliardë e gjysmë bashkatdhetarët tanë i kanë sjell si dërgesa në vendlindje. Ndërkaq, investimet janë më shumë se 1 miliard e gjysmë gjatë këtyre 5 vjetëve të fundit.

Pra, të dashur qytetarë. Bashkatdhetarët tanë gjithsejtë kanë sjellë më shumë se 6 miliardë euro për 5 vjet. Kjo tregon çfarë fuqie e madhe ekonomike për vendin tonë janë ata. Ne jemi të interesuar që bashkatdhetarët tanë jo vetëm të vijnë këtu e të kontribuojnë duke sakrifikuar, por edhe të përfitojnë duke investuar. Andaj, me luftimin e korru​psionit në Kosovë, pra nuk do të ketë më as haraq edhe as ryshfet. Me Bankën Zhvillimore që do ta bëjmë, me Gjykatën Komerciale që e kemi themeluar të krijomë kushte të favorshme për bashkatdhetarët tanë që të bëjnë biznes jo vetëm në Evropën Perëndimore, në Amerikë e deri në Australinë e largët, por edhe këtu në vendlindje.

Me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës edhe Zëvendëskryeministren tonë, Donika Gërvalla, kemi nis fushatën që e mbështet edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që quhet “Karavani i Diasporës”, kemi nis dialogun me diasporën dhe gjithashtu fushatën “Shijojeni Kosovën”.

Jemi të interesuar që fëmijët e bashkatdhetarëve tanë sa më shumë të mirëpriten në Kosovë dhe pushimin që e bëjnë këtu ta shfrytëzojnë për të mësuar shqipen më mirë dhe për t’u njoftuar më shumë me kulturën e prindërve të tyre, me kulturën e paraardhësve të tyre.

Andaj ne besojmë që është i mundshëm integrimi pa asimilim, andaj me ministritë tona do t’ju ndihmojmë për këtë gjë. Në veçanti e kemi programin “Diplomacia qytetare”, sepse ne konsiderojmë që bashkatdhetari ynë është diplomati më i madh i Kosovës, çdo shqiptar që është në diasporë është ambasador i yni.

Edhe ministrja jonë e Punëve të Jashtme ka jetu shumë e shumë vite në mërgatë, ajo është edhe vajza e heroit tonë kombëtar, Jusuf Gërvallës, andaj kjo është kryediplomatja jonë si një bashkatdhetare e juaja me shumë vite në mërgim.

Andaj ju falënderoj që jeni mbledhur sot, do të jemi përherë bashkë, do të jemi gjithmonë pranë juve dhe kisha dashur që Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, poashtu t’ju drejtohet të gjithë juve me një fjalë rasti.

Faleminderit shumë.

MPB kërkon 50 punëtorë, nuk kërkohet diploma e fakultetit as përvoja e punës

Disidenti.net

Krasniqi: Konfliktin në veri e evitoi në momentin e fundit ky zyrtar amerikan, hera e dytë që Kurti po e rrezikon vendin

Disidenti.net

Shuhen shpresat e Serbisë për Asociacionin/ Juristi nga Belgjika ka disa pyetje që nuk do iu pëlqejnë Thaçit e Mustafës!

Disidenti.net
Disidenti

Kurti: Çdo shqiptar që është në diasporë është ambasador i yni