Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), pritet të dorëzojë shumë shpejt padi ndaj Ministrisë së Financave dhe asaj të Arsimit.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se kanë kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) shtesat prej 100 eurove, kurse nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) llogaritjen e orëve të mësimit plotësues.
Ai thekson që nëse ndodh që orët e mësimit plotësues të mos paguhen, do ta dërgojë edhe ministrinë e Arsimit në gjykatë sepse nuk kanë zbatuar kushtet e kontratës dhe atë që ligji e thotë.
“Në anën tjetër nëse ndodhë që orët e mësimit plotësues nuk do të llogariten dhe nuk do të shpërblehen ka gjasa që edhe për këtë çështje ta dërgoj ministrinë e arsimit në gjykatë ngase kontrata e thotë qartë, janë 20 orë normë javore dhe ditët e punës janë nga e hëna deri të premten dhe kontrata po ashtu neni 11 e saktëson se çdo orë mbi këtë normë duhet të paguhet në vlerën e orës së rregullt. Pra janë këto dy çështje që mund të na përplasin në gjykatë”, tha Jasharaj.
Jasharaj ka paralajmëruar edhe grevë, por thotë që nuk do të nguten për shkak se vendi po përballet me situatë jo normale, atë me pandeminë, raporton EO.
“Unë krenohem si kryetar i njerëzve që dinë ta studiojnë dhe vlerësojnë mirë situatën, kolegët e mi që nga çerdhja e deri në universitet na kanë thënë shpesh në takime që të mos ngutemi shumë me veprime pasiqë sistemi arsimor por edhe tërë Kosova është në një situatë tepër të rënduar edhe ekonomike, por edhe në arsim. Do të veprojmë në mënyra tjera që t’i ikim përplasjes me greva sepse edhe ashtu i kemi disa ditë të pakompensuara dhe mësimdhënësit e Kosovës po bëjnë një betejë të jashtëzakonshme që ta mbyllim sa më mirë këtë vit shkollor”.

