Policia e rajonit të Pejës dje u ballafaqua me një 32-vjeçar i cili u hyri në stacion policor, duke shqelmuar e grushtuar derën kryesore. I dyshuari, në gjendje të dehur shkaktoi dëme kur depërtoi brenda hapësirave të Policisë dhe tentoi t’i shmanget arrestimit.
Rastit i parapriu një sulm në rrugën “Gjin Gazulli” të Pejës, ku i dyshuari sulmoi një person dhe tentoi ta godas të njëjtin me grushte, duke e kapur për fyti.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që përfundoi në mbajtje për 48 orë është Fatlum Hasani.
I riu pasi sulmoi një person, nuk priti që të arrestohet nga Policia, por u shkoi këtyre të fundit vet në stacion, me një taksi.
Aty, zyrtarët policorë hasën në rezistencë kur tentuan ta arrestonin, pasi i njëjti shkaktoi dëme që nga hyrja në stacion policor.
Por nuk shkoi shumë dhe i njëjti u prangos dhe u dërgua në qendrën e ndalimit për 48 orë, ndërsa rasti u iniciua si “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë dhe Sulm”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.