Rrugëtimi i Ballkanit në Ligën e Konferencës vazhdon. Kampioni kosovar do të jetë nikoqir i Sivassporit, në ndeshjen që do të luhet sonte me fillim në ora 21:00 në “Fadil Vokrri”.
Ndërkohë, kur tashmë gjithçka është bërë gati për të filluar takimi, të dy trajnerët kanë ndarë mendjen rreth formacioneve bazë.
Këto do të jenë formacionet me të cilat të dy ekipet do të zbresin në fushë në përpjekje për të marrë pikët maksimale nga kjo ndeshje:

Ballkani e mbylli xhiron e tretë në grupin G me 4 pikë, duke qenë lider në renditje, edhe pse të gjithë skuadrat tjera ndanë pikët e njëjta me therandasit.
Forma e treguar nga ekipi i Ilir Dajës gjatë kësaj periudhe kohore, por jo vetëm, ka qenë mbresëlënës. Ballkani ka dëshmuar se në këtë nivel gare nuk është vetëm për pjesëmarrje, por edhe për të provuar që të bëjë paraqitje sa më dinjitoze, duke luajtur si e barabartë karshi kundërshtarëve që janë klube me buxhet dhe organizim shumëfish më të madh.
Ballkani ka spikatur me paraqitje të mirë veçmas në repartin ofansiv. Deri më tani skuadra e Dajës ka shënuar 7 gola në ndeshjet e zhvilluara në Ligën e Konferencës.
Në shumicën prej ndeshjeve Ballkani nuk ka qenë aspak inferior në lojë, duke treguar guxim dhe personalitet. Andaj, edhe sonte do të hyjë i vetëdijshëm për cilësitë që posedon.

