Punëtori, i cili u arrestua të mërkurën në mbrëmje nën dyshimin se ia kishte vënë zjarrin autobusit të kompanisë ku punonte, ka thënë se autobusin e kompanisë e kishte djegur për “ta frikësuar” pronarin e kompanisë, në mënyrë që t’ia jepte pagën.
Policia e Kosovës, në raportin 24-orësh, të enjten, njoftoi për rastin që kishte ndodhur në zonën industriale në Fushë-Kosovë. Aty thuhej se dyshohet që rasti ka të bëjë për shkak të mosdhënies së pagës. I dyshuari ishte liruar në procedurë të rregullt.
E në një deklaratë për kohën, punëtori B.K. ka thënë se atij i ishte bërë presion që të paguante dëmin për zjarrin në një trafikë, për të cilën gjë ka thënë se nuk ishte ai fajtor.
“Unë aty kam qenë mekanik i autobusëve. Aty ka qenë një trafikë, e cila një ditë u kaplua nga zjarri, shkaqet nuk dihen. Kur ka ardhur koha me e marrë rrogën, mua më kanë thënë se duhet të punosh për ta paguar dëmin që është shkaktuar nga ai zjarr. Gjatë gjithë ditës më kanë bërë presion dhe më kanë kërcënuar. Mandej unë thash t’i frikësoj që të ma japin rrogën time. Aty kam qenë pa kontratë pune, asgjë s’më bajshin. Unë po t’i shkruaj krejt siç ka ndodhë. Për të mirë të punëtorëve tjerë t’i dhashë krejt informatat. Se me të vërtetë punëtorët po hjekin shumë në sektorin privat, si unë që s’kam pasur kurrfarë dokumenti. Tmerr është kjo. Borxh deri sot nuk i kam askujt e as s’kam qejf me më pasë. Aty ja kam kall 1 autobus, tjetër herë ja kalli krejt. Bonja me dije. Respekt!”, ka thënë ai.
E në anën tjetër, pronari i kompanisë, ka fajësuar punëtorin për djegien e trafikës. Ka thënë se ai kishte harruar ngrohjen në rrymë.
“I kemi kërkuar të kompensojë një pjesë të dëmit, por jo të tërin. Ai nuk e ka bërë. Dëmi ishte në vlerë 2000 euro. S’ka sjellë dokument për kontratë”, ka thënë ai.