Kanë kaluar katër muaj prej që Përparim Rama fitoi balotazhin përballë Arben Vitisë më 14 nëntor. Dhe, megjithëse telashet në kryeqytet duken urgjente e në lëngim për zgjidhje të ngutshme, Përparimi me ‘përparimin’ duken të avashtë.
Asnjëherë më shumë Prishtina nuk ka pasë nevojë për ‘përparimin’. Vini re shkronjën e vogël dhe thonjëzat. Por, asnjëherë më shumë Prishtina nuk ka pasë nevojë edhe për kryetarin e saj, që po ashtu quhet Përparim.
Sidoqoftë, ai duket krejtësisht mungues në këtë fillim të mandatit si kryetar i Prishtinës kur ekonomia e prishtinasve vetëm sa është vështirësuar.
Rama nuk ishte kursyer në premtime gjatë kohës sa ishte thjesht kandidat për të parin e kryeqytetit. Fjalori i tij kishte qenë i dendur me fjalë që premtonin nisje të menjëhershme të punës, duke margjinalizuar krejtësisht fjalët e fryra e të zakonshme të politikanëve konvencionalë kosovarë që lidheshin me politikën ditore.
Por, ky fjalor është përmbysur krejtësisht pas ardhjes së tij në pushtet. Fjalori i tij i mbushur me projekte u zbraz prej tyre për t’u mbushur me fjalë që përshkruanin ceremoni, festa dhe punë fare të vogla për të cilat nuk kishte nevojë fare për prezantim.
Të nisim vetëm me dhjetë dy javët e fundit.
Aktiviteti i fundit i publikuar nga z. Përparim Rama, fatmirësisht, kishte të bënte me një punë. Ai ishte pjesë e një konference rajonale me komunat në afërsi të Prishtinës – Lipjanin, Obiliqin, Graçanicën, Podujevën dhe Fushë Kosovën – në mënyrë që të ofroheshin shërbime “me rëndësi jetike”.
Çështjet kryesore të diskutuara ishin “qentë endacakë dhe trafiku ndërurban”.
Por, menjëherë më pas nis FESTA. Të gjithë ju që keni dijeni për këto ditë feste, mund ta injoroni pjesën e mëposhtme.
Më 9 mars, ai takoi ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ku e vetmja temë që u përmend ishte “Bienalja Manifesta”.
Më 8 mars, ai uroi Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Më 7 mars uroi “ditën e zjarreve” të Epopesë së UÇK-së.
Më 7 mars uroi “ditën e mësuesit”.
Më 6 mars uroi sërish Epopenë e UÇK-së.
Më 6 mars uroi përsëri Epopenë e UÇK-së duke përkujtuar punën e një gazetari britanik që kishte raportuar në atë kohë, Vaughan Smith.
Më 5 mars festoi sërish Epopenë e UÇK-së, nisjen e saj më 5 mars, duke marrë pjesë në Kazermën “Adem Jashari”.
Më 5 mars tregoi për Seancën Solemne të Kuvendit Komunal për Epopenë e UÇK-së.
Më 5 mars festoi sukseset e sportistëve të Prishtinës në vitin 2021.
E më 2 mars, atij i doli kohë të shkonte edhe në Lezhë, për të përkujtuar 578 vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës duke i ‘lëkundur eshtrat’ edhe heroit tonë kombëtar, Skënderbeut.
Nuk po pretendojmë se këto ngjarje nuk kanë rëndësi (madje, përgëzojmë z. Rama për një gjuhë mjaft emocionale në prezantimin e secilës prej tyre), por besohet – ndoshta gabimisht – se problemet e Prishtinës meritojnë vëmendje po ashtu.
Përtej ceremonive, z. Rama bëri një veprim të çuditshëm që u pa me sy të keq nga shumë aktivistë dhe analistë në rrjetet sociale. Ai mori vendim që të shtrenjtohej çmimi i nisjes së taksive në kryeqytet – krejt kjo për shkak të rritjes së çmimit të derivateve të naftës.
“Në Prishtinë taksi nuk është luks, por nevojë. Do të ishte luks po qe se do të ekzistonte një trafik urban tamam funksional. Andaj, në këtë situatë, rritja e çmimit të udhëtimit me taksi është e padrejtë.” – protestoi këtë vendim, snalisti Imer Mushkolaj.

Një tjetër punë domethënëse e Përparim Ramës deri tash e që mori vëmendje ishte zhbërja e një pune të Shpend Ahmetit, që po ashtu kishte marrë vëmendje: heqja e pengesave në rrethrrotullime. Nëse Shpend Ahmeti besonte që prishtinasit nuk dinë “të kthehen në rreth”, Përparim Rama beson që prishtinasit dinë “të kthehen në rreth”.