Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje Enver Dugolli, i është përgjigjur kritikave të partive opozitare, në drejtim të pushtetit që drejtohet nga Albin Kurti.
Sipas Dugollit, blerja e armëve dhe shurdhuesve për kabinetin e Hashim Thaçit nga shefi i deputetëve të PDK-së, është super skandal dhe se për këtë duhet të nisin hetimet, përcjell Bota sot.
Ai ka thënë se blerjet e tilla në aspektin operativ, bëhen për operacione të karakterit sekret dhe janë të paligjshme.
Ndërsa, lidhur me debatin për ambasadorin e Kosovës në Kroaci Martin Berishaj, deputeti i VV-së, ka thënë se fjalën e fundit do ta japin gjykatat sllovene.
Komenti i tij në Facebook:
Pse kanë gjithë këtë siklet opozita?
Konferencat për shtyp dhe deklaratat e njëpasnjëshme të zyrtarëve të opozitës duke sajuar e fabrikuar tema, janë të menduara mirë nga ana tyre dhe kanë vetëm një të vërtetë; shmangien e vëmendjes së opinionit nga një super skandal, të zbardhur tash së voni e që lidhet drejtpërdrejt me shefin e grupit parlamentar të PDK-së, z. Abelard Tahiri gjatë kohës kur ishte shef i kabinetit të z.Thaqi.
Blerja e armëve dhe shurdhuesve për kabinetin Thaçi, është më shumë se skandal, është super skandal. Prandaj, para se të fillojë një hetim serioz për këtë çështje (nëse ende nuk ka filluar) z. Abelard Tahiri ishte dashtë që opinionit publik t’i sqaronte rrethanat dhe nevojat që e shtynë atë për t’i pajisur kabinetin me këso lloj armësh me shurdhues.
Është mirë dhe e nevojshme që kur thërrasin konferenca për shtyp, të flasin gjithashtu se a u përdorën ndonjëherë ato armë me shurdhues dhe në cilat operacione sekrete?!
Dhe kur të sqarohet krejt kjo punë, besoj që deri atëherë gjykatat sllovene do japin edhe fjalën e tyre në raport me padinë e ambasadorit Berisha ndaj portalit slloven dhe pretendimeve të opozitës për gjoja skandalin e trumbetuar.