Disidenti
Lajme

Doni ta mposhtni Albinin me shikime ‘fake’ në Facebook si Lumiri me Memlin? Qe si bëhet pazari

0Shares

Albin Kurti, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku, të martën dhanë intervista në të njëjtën kohë, dhe asnjërit prej tyre fatmirësisht nuk i ra që të fliste vetmevete. Dy të fundit, liderë të opozitës, rikthyen në skenë blerjen e shikimeve gjatë transmetimeve në kohë reale.

Abdixhiku në kohë reale në rrjetin social Facebook u ndoq – u duk se u ndoq – nga 22 mijë qytetarë, teksa Kurti arriti të shikohet në intervistën në RTK nga vetëm 6 mijë qytetarë. E 30 mijë persona e ndoqën në kohë reale Krasniqin, që drejton partinë më të madhe opozitare në vend, PDK-në.

Po përtej shikueshmërisë në kohë reale, Kurti arriti të mbledhë më shumë shikime se Abdixhiku në fund të emisionit, ndonëse ky i fundit gjatë gjithë kohës pati më shumë persona se shefi i ekzekutivit, që e ndiqnin LIVE.

Abdixhiku në total në fund të emisionit pati vetëm 44.3 mijë shikime edhe pse në kohë reale u ndoq nga 33 mijë persona.

Kurti, që s’u ndoq shumë nga qytetarët, në total mblodhi 118 mijë shikime duke hedhur dyshime nëse shikuesit e Abdixhikut në kohë reale ishin ‘fake’. Ndërsa Krasniqi në fund u shikua vetëm 17.3 mijë herë.

Vlen të theksohet se edhe Albin Kurti arriti t’i mbledhë 100 mijë shikues LIVE, e nuk dihet nëse është përdorur e njejta strategji si tash nga oponentët e tij politikë.

Ndërkohë, gazeta Nacionale ka bërë një hulumtim të thjeshtë për të parë mënyrën e blerjes së shkimeve gjatë kohës së transmetimit LIVE, pas mospërputhjes së numrave të mësipërm.

Shikimi apo ndjekja LIVE e qytetarëve duket që ka shumë rëndësi për liderët kosovarë për të projektuar rëndësinë e tyre. Numri që shfaqet në anën tuaj të majtë të ekranit, tregon se sa e rëndësishme është fjala e tyre, e edhe pesha e tyre politike.

Këta numra nganjëherë janë jashtë logjikës së asaj duke e ditur se sa mund të shikohet një lider kosovar, kushdo qoftë ai.

Pas këtyre intervistave të lartcekura, në media u raportua se shikimet e tyre janë të blera dhe nuk janë reale, pra nuk janë qytetarë të Kosovës, por janë aziatikë ose latino-amerikanë.

Ka një mënyrë për të blerë këto shikime në Facebook. Nacionale ju tregon më poshtë.

Ne pyetëm njërin nga provajderat (ofertuesit) që kryejnë këto shërbime, dhe ai u përgjigj menjëherë duke na dhënë detaje për çmimet.

Ne i thamë që na duhen 10 mijë shikues në videon tonë LIVE, e për këta 10 mijë shikues çmimi ishte 1 mijë e 500 dollarë.

“Çmimi i uebsajtit: Për 10 mijë shikime videosh, 1500 dollarë. Ta ofroj këtë shërbim për 1250 dollarë, që do të thotë se po të bëj një zbritje prej 250 dollarësh. Më njofto dhe do ta krijoj tash pakon për ty”, na tha ai gjatë komunikimit me të.

Madje ai na luti dhe na ofroi një çmim më të lirë për këtë shërbim dhe na tha se është aty kurdo që kemi nevojë për shikues ‘fake’.

Ekzistojnë disa shërbime online të cilat ofrojnë mundësi që të blihen shkimet. Në këto uebsajte ofrohen plot oferta dhe numra se sa dëshironi t’i keni kur futeni LIVE.

Një ueb me emrin “Socialwick” tregon për çmimet dhe numrin e shikuesve që mund të shtohen në një video LIVE.

Në këto uebsajte tregohet edhe për sa kohë mund të qëndrojnë në LIVE personat fake në faqen tuaj në Facebook gjatë kohës të transmetimit LIVE.

Ka plot opsione të cilat e ofrojnë këtë mundësi të cilën si duket po e shfrytëzojnë liderët kosovarë.

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës [PDK] deri në momenti e publikimit të këtij shkrimi nuk ka kthyer përgjigje.

Reagimet për blerjen e shikimeve

Gazetari Valon Syla për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, dhe atë të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se po duken si “kopje të zbehta të Kurtit, po fryheni me shikime të ‘kinezëve’”.

“Nëse liderëve në opozitë u ka mbetë me u fry sa shikime ma shumë se Albini i kanë nëpër TV, kjo është veç një kopje e zbehtë e tyre ndaj Kurtit. Pse po angazhoni kinezë?

Ashtu qysh sillej ai, para dy viteve, tash po sillen tinëza liderët e opozitës. Morëm klikime.

Çunu more çlironu nga ky model i politikanit si Kurti që ju ka kompleksu si opozitë, si politikanë… se tu e imitiu me klikime aty do ta gjeni atë, përsëri. A ka proaktivitet ndaj këtij budallaku, ndaj këtij dëmi e degradimi të vendit. Ndonjë model të ri. Ndonjë ide, apo propozim për Bruksel t’i mshelim do punë.” – ka shkruar Syla.

Për shikime, një reagim erdhi edhe nga analisti Imer Mushkolaj, i cili tha se “Memli e Lumiri duhet ta sfidojnë Albinin me ide, jo me shikime të blera”.

“Memli e Lumiri është mirë që Albinin me e sfidu me ide e kreativitet, e jo me shikime të blera në Facebook. Fort të kompleksuem prej Albinit”, ka shkruar Mushkolaj.

Mushkolaj po ashtu edhe sot gjatë ditës bëri një reagim tjetër për shikimet. Ai i vërtetoi blerjet.

“Se sa interesantë për qytetarët janë kryetarët e dy partive opozitare, tregojnë të dhënat se në Facebook debati me deputetin e VV-së Arbër Rexhaj është shikuar më shumë se Memli e Lumiri së bashku. Nuk provohet partia, o djem!”, ka shkruar Mushkolaj, duke ia bashkëngjitur disa fakte për shikimet.

Kurti pret që BE-ja t’i largojë masat ndaj Kosovës: Nuk kanë qenë të drejta asnjëherë, tash janë bërë edhe absurde

Disidenti.net

Dështon ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë – mjekët, mësimdhënësit, policët, zjarrfikësit, mbesin pa rroga

Disidenti.net

Aksion i Antidrogës në Pejë: Sekuestrohet mbi një ton drogë në vlerë të rreth 5 milionë euro

Disidenti.net