“Angazhohuni në proceset demokratike dhe ato të integrimit. Dilni në votime, për të pasur edhe ne përfaqësuesit e duhur në shtetin austriak”, u drejtohet Nisret Bujari bashkatdhetarëve në Austri.
Përveç rasteve të suksesit në profesione, si mjekë, mësues apo pedagogë, kohët e fundit është parë dhe një rritje e numrit të shqiptarëve që na përfaqësojnë në politikën austriake. E kam fjalën për Nisret Bujarin, i cili në janar të vitit 2020 u zgjodh këshilltar në Bashkinë e Badenit, aty ku jeton e punon prej shumë vjetësh. Zhvilluam një bisedë online dhe me telefon së bashku, pasi për shkak të virusit nuk mund të takoheshim nga afër. Megjithatë, jemi përshëndetur në disa aktivitete të përbashkëta ku ka shqiptarë e njiheshim më parë.
Rrëfimi i Nisretit nis me periudhën më të vështirë të jetës së tij, që lidhet me përjetimet e luftës në Kosovë.
“Në vitin 1998, kur baza e UÇK-së nuk ishte më shumë se një kilometër nga shtëpia ime, unë vija nga Bllaca, ushqeja bagëtinë, kujdesesha për prodhimet bujqësore dhe shkoja në Bellanicë. Isha vetëm 16 vjeç. Më kujtohet se mbushja dy trasta me perime të freskëta nga kopshti ynë dhe ua çoja luftëtarëve të lirisë në mal. Bashkë me familjen shkonim dhe ktheheshim nga fshati ynë. Ca kohë qëndruam në Bellanicë. Kur u kthyem në Duhël, shtëpinë na e kishin djegur”, rrëfen ai.
Loti në sytë e prindërve
Në fakt, më pëlqejnë njerëzit të cilët nuk i harrojnë vuajtjet që kanë kaluar, pavarësisht se sot mund të jenë dikush në jetë. Madje mendoj se personat e suksesshëm vijnë si rezultat i ngjarjeve të dhimbshme që kanë parë e ndjerë në të shkuarën e tyre. Ky është një tregues se ne shqiptarët çajmë kollaj kudo, e na jepet ndoresh të bëjmë gjithçka, vetëm sepse kemi vuajtur e jemi rrahur që herët nga jeta. Ishte vetëm 17 vjeç kur vendosi të emigrojë në Austri pas luftës, dhe tek kujton prindërit që e përcillnin, thotë se “kur pashë sytë me lot të tyre mu duk sikur pash sytë e Kosovës.” Në këtë sfidë në vend të huaj ai nuk ishte vetëm pasi shoqërohej nga kushërinjtë dhe vëllai i tij. Kur erdhi në fillim punoi kamerier, banakier në restorante të ndryshme dhe po ashtu ka kryer ushtrinë prej 8 muajsh në Austri.