Përkundër se disa herë ishte “zëdhënësi” i refuzimit të planit franko-gjerman, kryediplomati serb, Ivica Daçiç, tha se Serbia nuk e ka refuzuar atë. Duke folur për BBC-në në edicionin serb, ai tha se “as nuk e kemi pranuar as refuzuar”.
Daçiç tha se kanë artikuluar “vetëm çfarë është e pranueshme e çfarë jo” derisa shtoi se do të vazhdojnë diskutimit për planin, tashmë edhe të përditësuar nga Bashkimi Evropian.
Por, sipas tij, Serbia i ka vijat e kuqe në lidhje me planin e hartuar nga BE, të mbështetur nga ShBA, Gjermani e Franca.
“Nuk mund të flasim për marrëveshje të reja pa i respektuar ato të nënshkruar më herët, siç është Asociacioni i Komunave Serbe. E papranueshme është që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, derisa vija e tretë e kuqe është siguria fizike e serbëve në Kosovë”, ka thënë Ivica Daçiç.
Më tej, Daçiç përsëriti mantrën e tij të zakonshme se për sa kohë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është në pushtet “do të ketë vetëm shuarje zjarresh” e jo trajtim të përgjithshëm të dokumentit për normalizim të marrëdhënieve, shkruan Reporteri.net.
“Jam i sigurt se për sa kohë Kurti është në atë pozitë, negociatorët nuk do të merren me dokumentin e përgjithshëm por me shuarje zjarresh”.
“Dhe do të ishte mirë që të shuhet zjarri më i madh, sepse zjarrvënësi më i madh është Kurti”, ka thënë Daçiç.
Fushata e Daçiçit kundër Kosovës
Nga 193 vende të Kombeve të Bashkuara, Kosova mund të llogarisë vetëm në 83 prej tyre, përsëriti Daçiç bindjen e tij, tashmë të pothuajse çdohershme.
Por, siç pretendon ai, jo të gjitha vendet që s’do të vinin Kosovën ia kanë tërhequr njohjen. “Egjipti ose Hungaria e kanë njohur Kosovën, por nuk votojnë për Kosovën në forume ndërkombëtare, anipse nuk e kanë tërhequr njohjen”.
“Nëse Prishtina vazhdon me politikën e aplikimit në organizata ndërkombëtare, ne do të detyrohemi të mirremi me atë punë”, ka thënë Daçiç.