Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka thënë para mediave në Bruksel se nuk do të marrë pjesë në takimin 11 majit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Lidhur me këtë çështje, deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, në një prononcim për Gazetën Online “Reporteri.net”, ka thënë se këtë e ka bërë vetëm për ta shtyrë dialogun.
Tutje, Berisha tha se ekipit të Kurtit po i mungon Rrahman Morina dhe Ali Shukriu, pasi këta të fundit kanë vdekur.
Deputeti i AAK-së shtoi se “do të shohim shumë përralla në procesin negociator në Bruksel gjatë dialogut Kosovë-Serbi”.
“Do të thotë e ka shty pak. Vetëm Rrahman Morinën që s’e ka me veti se ka vdekur dhe Ali Shukriun se përndryshe ishin kanë një 5-she shumë e suksesshme. Keni me pa shumë këso lloj përrallash në procesin e negociatave”, shtoi Berisha.
Kurse, se a do të ketë suksese Qeveria Kurti gjatë procesit dialogut karshi Serbisë, Berisha theksoi se po të kishin qenë Ali Shukriu, Rrahman Morina, Veton Surroi dhe Blerim Shala pjesë e ekipit të negociatave në Bruksel, do të ishin një ekip i përshtatshëm komunist.
Berisha po ashtu e ka sulmuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, duke e quajtur komunist dhe duke thënë se ai dëshiron të jetë diktator.
“Varet se çka e konsideron Albin Kurti sukses dhe çfarë qëndrime ka, si dhe çka dëshiron ai”, u shpreh ai.
“Veton Surroi, Blerim Shala, të kishte qenë edhe Ali Shukria, Albin Kurti edhe Rrahman Morina e kishin bo një ekip tamon kështu komuniste e përshtatshme. Komunizmi i lidhë të gjithë këta, edhe Hysamedin Feraj prej Shqipërisë. Mentaliteti i Albin Kurtit është ashtu (komunist), edhe me shamia të kuqe, mendon me u bo diktator edhe është munist, e të gjitha”, tha ndër të tjera Berisha për Reporteri.net.
Në delegacion me kryeministrin janë edhe dy zëvendëskryeministra, Donika Gërvalla-Schwartz, për Punë të Jashtme dhe ai për Çështje Evropiane dhe Dialog, Besnik Bislimi.
Ky i fundit ka arritur në Bruksel të martën dhe po atë ditë ka pasur një takim joformal me Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog Mirosllav Lajçak.
Kurti së pari zhvilloi një takim me kryeministrin e Belgjikës Aleksandar De Croo, për të vazhduar më pas me takimet në Komisionin Evropian. /Reporteri.net/