Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka thënë se kryesindikalisti i Arsimit, Rrahman Jasharaj, është shndërruar në “Grenell” të opozitës.
I ftuar të mërkurën në “Sonte me Rronin” në KTV, Basha ka thënë se opozita dikur ka thënë se nuk duhej kundërshtuar ish-të dërguarin e Posaçëm të Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, sepse i bie të kundërshtohet Amerika, ndërsa tani kjo figurë, sipas tij, po del të jetë lobist i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, edhe imazhi i Jasharajt po përdoret nga opozita, sikurse Grenelli para më shumë se dy vjetëve.
“(Rrahman Jasharaj v.j.) Është bërë një lloj Grenelli i opozitës, sepse opozita nuk po mundet të gjejë hajni, korrupsion e keqqeverisje në Qeveri, atëherë e patën gjetur Grenellin, që doli lobist i Vuçiqit, e tash e kanë gjetur Jasharajn”, ka thënë ai.
Sipas Bashës, Jasharaj dhe përfaqësuesit e tjerë të Sindikatës së Arsimit, janë mësuar të operojnë me pazare.
“Rrahman Jasharaj ka thënë se duhet rrëzuar Albin Kurtin sepse është diktator. Ymer Ymeri ka thënë publikisht në dhjetor të 2021-tës rriteni 50 për qind të pagave, ne ua japim të gjithë votën juve. Këta janë mësuar të operojnë me pazare.
Ai më tej ka treguar qëndrimin e tij sa i përket Ligjit të Pagave për të cilin ka thënë se duhet të jenë prioritet mjekët, Policia e Zjarrfikësit para mësimdhënësve.
“Derisa mjekët na ikin e mësuesit i kemi mbi 2000 tepricë, mendoj se prioritet duhet të jenë mjekët. Ligjin e Pagave mendoj që do të mundohet sa më shpejt ta zgjidhim sepse e kemi Policinë që janë shumë keq, zjarrfikësit gjithashtu e mbi të gjitha mjekët”, ka thënë ai.
Basha ka thënë se sikurse në fushën e drejtësisë, nevojitet vetting edhe në arsim.
“Unë jam për një vetting që duhet testuar mësuesit. Për hir të fëmijëve vettingu duhet të bëhet”, është shprehur ai.
Duke folur për simbolet kombëtare, Basha deklaroi se e respekton flamurin e Kosovës, por që nuk i pëlqen.
“Lëvizjes Vetëvendosje nuk i ka pëlqyer asnjëherë flamuri i Kosovës. Flamuri i Kosovës nuk më pëlqen as mua, por duhet ta respektoj. S’mund të jetë flamuri pa asnjë identitet të shumicës së këtij vendi, e respektojmë edhe himnin edhe flamurin. Edhe Kurti e respekton flamurin dhe himnin, e ka në zyre”, shtoi ai.

