Disidenti
[the_ad id="378"]
Lajme Sport

Babai i Andi Zeqirit pasi iu sha djali nga Kosova: Na edhe Thaçin e Veselin i kemi çu në Hagë

Babai i Andi Zeqirit, Avdiu, thotë se nuk ndihet aspak i bezdisur nga baneri i shpalosur nga ‘Dardanët’ gjatë miqësores Zvicër – Kosovë të mërkurën në Cyrih, megjithëse e quan të padrejtë etiketimin e të birit si mashtrues dhe tregtar.

Sulmuesi 22-vjeçar ia kishte dhënë fjalën Kosovës para se të vendoste përfundimisht për ta përfaqësuar Zvicrën në arenën ndërkombëtare, një vendim që shkaktoi zemërimin të madh në atdheun e babait të tij.

Tifogrupi i Kombëtares së Kosovës, pasi e kishte ‘shpallur’ person ‘non grata’ Zeqirin vitin e kaluar, shfrytëzuan mundësinë që në ndeshjen kundër Zvicrës – e cila përfundoi me rezultat 1-1 – të shpalosnin një baner ku shkruhej: “Andi tregtari, pazargji i natës, mashtrues i Kombëtares”, duke ia bashkangjitur edhe ca simbole të njësive monetare (në postimin në Facebook) nga vende të ndryshme, qartazi në tentativë për të aluduar se i njëjti ka zgjedhur interesin financiar para Kombëtares së Kosovës.

Përveç frustrimit të dukshëm të ‘Dardanëve’, nervozizmi u shpreh edhe në transmetim direkt nga komentatori i SuperSportit, Florim Canolli, i cili refuzoi t’ia përmendte emrin kur Zeqiri u fut në lojë, nga banka rezervë, në pjesën e dytë. I njëti, gjithashtu nuk e zuri emrin e Zeqirit në gojë, kur ky i fundit kishte kontakte me topin gjatë ndeshjes.

Reagime frustruese të vazhdueshme para, gjatë dhe pas ndeshjes pati edhe nga fansat, të cilët i bënë të qarta qëndrimet e tyre me anë të postimeve denigruese ndaj futbollistit në rrjetet sociale.

“Për mendimin tem, ata e kanë të drejtën e vet. S’muj une me i nalë njerëzit, me iu thonë çka ka ndodhë e qysh ka ndodhë e…” u shpreh fillimisht Avdiu për Nacionale kur u pyet për ndjesitë ndaj banerit.

“Ata mujnë me thonë bre gjithçka, amo me kon e drejtë, është ma mirë, po nuk e kanë me të drejtë. Mirëpo, s’prish punë ajo.

Si u ndje Andi për banerin: “Hmm… këta njerëz janë ndryshe, janë le në Evropë, s’i kanë problem këto sene. A e pe Shaqirit çka i bajshin bre? Na krejt, sa jena 7 milionë a 10 milionë, kur ia ka dhanë goll serbëve, krejt jena çu në kamë… e me i vërshëlly po më doket jo e arsyeshme. Une s’besoj as që e ka pa Andi atë baner. A don me të thonë diçka… une jam patriot pak ma shumë se qata që janë aty (flet për ‘Dardanët’).

“Na bre vet Hashim Thaçin edhe Kadri Veselin e kena çu në Hagë… çka ko me thonë tjetërsen.

“S’po foli për djalë temin, osht i ri – krejt në rregull – ka ndodhë çka ka ndodhë, mirëpo Shaqiri… krejt po bohemi me të kur po ju jep goll serbëve, e masnej krejt po ia kthejmë shpinën.

I pyetur, si i komenton kritikuesit nga Kosova, të cilët kanë qenë të zëshëm ndaj Andi Zeqirit për faktin se ky i fundit edhe kishte nënshkruar parakontratë me FFK-në, para se të zgjedhte në mënyrë befasuese Zvicrën, ai u shpreh:

“S’kam une çka me folë për ta. Arsyeja që nuk e ka zgjedhë Kosovën është se nuk ka mundësi ligjore me u kthy, pasi i ka bë tri lojë me U-21’shat e Zvicrës në Kampionat Evropian”.

Rregulla të cilës i referohet Avdiu qartazi vjen nga Kongresi i FIFA-s i cili, në shtator të vitit 2020, aprovoi një rregull që i lejonte lojtarët të ndryshonin Kombëtare, nëse kishin bërë jo më shumë se tri paraqitje kompetitive, para se ata të mbushnin 21-vjeç, përfshirë paraqitjet në Kupën e Botës dhe Kampionatin Evropian.

Sidoqoftë, Zeqiri kishte bërë saktësisht tri paraqitje për grupmoshën U21 në Kampionatin Evropian 2021, andaj ishte legjitim të ndërronte Kombëtare në këtë kohë.

Rasti identik ishte ai me Toni Domgjonin, i cili kishte bërë tri paraqitje me U21’shat e Zvicrës, para se të kalonte te Kosova.

Zeqiri insiston se nuk kanë qenë në dijeni për këtë rregull, as kampi i futbollistit e as Federata e Futbollit të Kosovës, pavarësisht se ky ligj nuk e prekte fare Andin, për faktin se ai ishte brenda suazave të ndeshjeve të lejuara për të kompletuar procedurën e ndryshimit.

“Normal bre që nuk e kena ditë… as Federata nuk e ka ditë, vetëm avokatat e kanë ditë (për këtë ‘rregull’). M’ju thonë ‘o vlla’ shqiptarëve, ‘këqyrne more se ka ndërru nifarë ligji’, une tash çka me ba… Andi nesër m’ja dhonë goll Serbisë, edhe pse osht me Zvicrën, apet bohemi me Andin”.

Nacionale ka kontaktuar me menaxherin e FFK-së, Bajram Shala, i cili ka mohuar kategorikisht çdo etiketim të Avdiut, duke thënë “po rren” në mënyrë të drejtpërdrejt.

I njoftuar nga redaksia me komentet e lartpërmendura të Zeqirit në lidhje me rregullin që pretendohet se nuk e lejonte birin e tij të luante për Kosovën, për shkak se kishte bërë tri paraqitje me U21’shat e Zvicrës në Kampionatin Evropian, Shala u shpreh:

“E Toni Domgjoni sa paraqitje i ka pasë me Zvicrën? E Nedim Bajrami qysh mujti me shku te Shqipëria?

“MOS RREJ, lirisht thuj (Avdiut) MOS RREJ, se ia kam shpjegu shumë mirë une atij që bon, po se ka ngu djali i vet. Ajo është rrenë. Toni (Domgjoni) sa paraqitje i ka pasë? Pse mujti me ardhë?”

Sipas Bajramit, madje, rregulla në fjalë (që thotë se nuk lejohet të ndërrohet Kombëtarja pasi të bëhen tri paraqitje kompetitive me një përfaqësuese paraprake), nuk ka kurrfarë lidhje me rastin e Zeqirit.

“Jo, ai rregull s’ka lidhje me paraqitje në U21. Ajo është për disa disa specifika për ekipe A, ama ai ka rrejtë edhe po mundohet me u arsyetu diqysh. Se ai ka dashtë shumë me pru Andin te na, po djali i vet s’ka dashtë edhe pikë”.

Përndryshe, Andi – në prononcimin e tij pas ndeshjes me Kosovën – u shpreh hapur se ishte dëshira e tij të luante për Zvicrën.

“Ka qenë vendim i imi për ta prezantuar Zvicrën, por gjithmonë do të jem një djalë i Kosovës dhe do t’i gëzohem suksesit të Kosovë gjithmonë, sikurse të Zvicrës ku edhe luaj”, është shprehur fillimisht ai.

“Ka qenë një ndeshje shumë emocionuese. Thirrjet dhe banderolat e tifozëve i kam marr me sportivitet, pasi jam një lojtar profesionist”.

Golat nga Milot Rashica 52′ dhe Jordan Lotomba 61′, vulosën fatin e takimit Zvicër-Kosovë, e cila ishte e dyta për ‘Dardanët’, prej ardhjes së Alain Giresse në pozitën e trajnerit.

[the_ad id='11273']

E trishtë: Pas disa orësh nxirret trupi i pajetë i të riut që ra në gropën e bunarit

Disidenti

Shkëlqimi i munguar te Liverpool: Wirtz tregon ‘sekretin’ që i zbuloi Arne Slot

Disidenti

Çfarë do të thotë për Francën dënimi i ish-presidentit Nicolas Sarkozy?

Disidenti