Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për votimin në Shqipëri. E po ashtu ka thënë se fakti se ai nuk është prezent në debatin për pandeminë tregon për rëndësinë dhe përgjegjësinë që ia kushton ai luftës kundër pandemisë.
Ai ka kritikuar Kurtin për fushatën që ka bërë në Shqipëri, duke i dhënë përkrahje kandidatëve të Vetëvendosjes atje, përfshirë Boiken Abazin.
“Kjo pamje tregon për rëndësinë dhe përgjegjësinë që kjo Qeveri ia kushton pandemisë. Çdo dy orë një qytetar i Kosovës vdes për shkak të pandemisë. Nuk pres që ju si klasë politike të bëni mrekulli menjëherë, por ta kuptoni seriozitetin e kësaj ngjarje. Pres nga kryeministri të vjen këtu. Kryeministri ynë nuk po përpiqet fare, është zhdukur, është humbur. Kur çdo dy orë vdes një qytetar në Kosovë, kryeministri jonë shpërndan fletushka në Lezhë e Tiranë, merreni me mend. Për dy javë ka vizituar Shqipërinë 4 herë e qendrën Infektive asnjëherë. I bëj thirrje që punën e parë çdo mëngjes ta nisë nga QKUK-ja. 1000 pacientë për një Boiken nuk ia vlen, as ai si ka aq vota. Dilju zot kryeministër, ty të kanë prijës. Përpiqu, edhe kur nuk mundesh së paku përpiqu”.