Brenda mandatit katër vjeçar të Qeverisë Kurti po planifikohet të bëhet testimi me shkrim i mësimdhënësve në shkollat e Kosovës.
Por, kjo ide po konsiderohet e gabuar veçanërisht në kohë pandemie.
Ish-zëvendësministri i Arsimit Xhavit Rexhaj, në emisionin “Libero me Resul Sinanin” ka thënë se duhet të krijohen mekanizma për sigurimin e llogaridhënies për perfomancë të dobët në sistemin e arsimit, e jo të testohet dija e dikujt.
“Ne duhet të flasim për pandeminë dhe pasojat e saj në arsim. Si të shkojmë deri në fund të vitit dhe si të fillojmë vitin e ardhshëm. Nuk ka aspak llogaridhënie në sistemin e arsimit në Kosovë, jo vetëm në mesin e mësimdhënësve, por duke u nisur nga drejtorët e shkollave, DKA-të dhe në sistemin e inspektoratit si dhe në institucionin më të lartë që është MASHT-i. Duhet siguruar mekanizma të cilët nuk e testojnë dijen e dikujt, por jepni llogaridhënie për performancë të dobët. Fjala “test” nuk duhet të përdoret në këtë kontekst, dija është në Google, por pyetja është si të testohen shkathtësitë pedagogjike”, u shpreh Rexhaj në LIBERO.

